Ndërkohë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar vendimin e opozitës për djegian e mandateve, një zë pro këtij akti vjen nga Gjermania. Martin Henze kryekëshilltar i CDU në një intervistë për mediat thotë së në situatën që është Shqipëria, vendimi i Partisë demokratike është i kuptueshëm.

Henze shkon dhe më tej teksa thotë se jo të gjithë në Europë mendojnë se vendimi i opozitës është i gabuar.

“Në Europë ka mendime kontradiktore për vendimin e PD për djegien e mandateve. Jo çdo informacion që ka ardhur në Shqipëri është i vërtetë pasi këtu vijnë informacione të filtruara dhe të selektuara. PD dhe opozitës i është mohuar e drejta parlamentare pasi nuk funksionon Gjykata Kushtetuese dhe ajo nuk ka mundësi për të apeluar vendimet e parlamentit. Prandaj dhe zgjedhja për largimin nga parlamenti mund edhe të kuptohet”.

Për kryekëshilltarin ekonomik të CDU zgjidhja e vetme në këtë situatë janë zgjedhjet e reja. Për Henze, popullit i takon të vendosë si do të vazhdojë.

“Duke qenë se jemi në një republike Parlamentare dhe Demokratike ai që vendos në fund të fundit është populli. Partitë politike janë të detyruara që të dëgjojnë popullin dhe padyshim përfundimi duhet të jetë zgjedhje të reja në mënyrë që populli të vendosë. Te dy palët të tregojnë përgjegjësi dhe të arrijnë në një përfundim që mund të jenë dhe zgjedhjet”, shton gjermani.

Deputetët të cilët po pranojnë të marrin mandatet a mund të zëvendësojnë opozitën në Shqipëri? Ndryshe nga ndërkombëtarët që janë shprehur pro marrjes së mandateve ai thotë se për këtë duhet të vendosë gjykata kushtetuese, pasi ka një vendim politik për djegien e tyre.

“Çështja është më komplekse dhe jo kaq e thjeshtë. Këto deputetë janë nga lista partiake. Këtë mund ta interpretonte vetëm Gjykata Kushteuese. Dhe për sa kohë Gjykata Kushtetuese nuk mund të marrë një vendim edhe OSBE nuk mund të shprehet”, shtoi Martin Henze.

Si ekspert i fushës së ekonomisë Martin Henze flet dhe për investimet e huaja. Ai thotë se për investitorët e huaj nuk ndikon situata politike por garancitë ligjore. Garanci të cilat sipas në Shqipëri mungojnë për shkak të korrupsionit të lartë dhe mos funksionimit të dy gjykatave më të larta.

“Më e rëndësishmja për investitorët e huaj është garancia ligjore. Dhe në Shqipëri për momentin nuk funksionon Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë dhe këto garanci nuk mund t”i jepen investitorëve të huaj. Dhe korrupsioni është në nivele të larta kjo bën që investitorët e huaj të mos vijnë në Shqipëri”,- tha ai.

Duke folur për protestat Heinze tha se ato janë një e drejtë demokratike që cdo qytetar duhet të ushtrojë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb