Kryeqyteti u trondit mbrëmë nga një ngjarje e rëndë, ku persona të paidentifikuar hapën zjarr ndaj një lokali ku kishte klientë dhe vranë aty banakieren dhe plagosën 5 persona të tjetër.

Ngjarja ndodhi në zonën e Don Boskos. Siç u raportua dhe dje, shënjestër e atentatit duket se ka qenë Seit Murati, xhaxhai i Fatjon Muratit, një personazh i lakuar për disa ngjarje kriminale. Gazetari Igli Çelmeta pohoi se Fajton Murati, i cili ishte lënë në arrest shtëpie për akuzën e armëmbajtjes pa leje, ndërsa mbrëmë pas kontrolleve të ushtruara në banesën e tij, policia nuk e gjeti aty, ndërsa mendohet se ai është larguar jashtë vendit.

Kujtojmë se tetorin e vitit të kaluar Fatjon Murati u ndalua se ishte në kërkim për armëmbajtje pa leje. Ai u ndalua dhe pasi qëndroi për disa kohë në masën ‘arrest me burg’ u la në masën ‘arrest shtëpie’.

Ai dyshohet se bashkë me Kristjan Gjinin posedonin arsenal armësh, ndonëse nuk e ka pranuar asnjëherë fajin. Po ashtu Murati u mor në pyetje dhe nga prokuroria e Kurbinit, për masakrën e Fushë-Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj dhe dy shokët e tij, Diklen Vataj dhe Besmir Hoxha, ndërsa më pas u la i lirë.

Sipas grupit hetimor, shënjestër e atentat mbrëmë ka qenë xhaxhai i tij, si shenjë hakmarrje për Fajton Muratin, i cili rezulton të jetë mik i Endrit Dokles. Ndërkohë xhaxhai Muratit ka marrë dy plumba në shpatull, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb