SHKODER –I ftohtë dhe pa shenja pendese është shfaqur para grupit hetimor 33-vjeçari Miklovan Parubi, autori i masakrës në Dajç të Shkodrës. Ndërsa ka pranuar krimin e kryer vetëm për një lojë pokeri, Parubi ka rrëfyer se pas sherrit, hyri në lokal me automatik, e kishte kërkuar t’i veçonte personat që donte të qëllonte, konkretisht dy viktimat Arjet Saiti 42 vjeç dhe Gacalin Kopshti 30 vjeç dhe vëllain e këtij të fundit, që mbeti i plagosur Vinçens Kopshti, 26 vjeç.

Pasi nuk kishin pranuar të ndaheshin, Parubi deklaroi se qëlloi ndaj të gjithëve.
“U thashë që do ti vrisja, por nisën të qeshin, ndërsa Gacalini më tha “çfarë të kemi bërë”, atë e qëllova të parin.” Mësohet të ketë thënë për grupin hetimor autori i vrasjes, që shtoi se të tre personat ia kishin bërë borxh.

Parubi ka shprehur keqardhje vetëm për tre të plagosurit e tjerë Aleks Prendi, 40 vjeç Ndok Marku, 35 vjeç dhe Kitas Molla 26 vjeç.

Duke njohur çrregullimet e tij emocionale, policia ka krijuar bindjen se i arrestuari i ka kryer të gjitha veprimet ashtu siç i deklaron. Miklovan Parubi u prangos nga policia vetëm 14 orë pasi kishte kryer vrasjen e dyfishtë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb