Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, bazuar në nenet 32-36 të Rregullores së Kuvendit, në cilësinë e komisionit përgjegjës, shqyrtoi dhe miratoi në mbledhjen e realizuar nëpërmjet sistemit online Cisco Webex, në datën 01.04.2020 Aktin Normativ nr. 2, datë 11.03.2020 të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 15/2016 “”Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive””.

Relatorja e këtij akti deputetja e PS, Vasilika Hysi nënvizoi se nevoja dhe urgjenca janë elemente përcaktuese të kushtetueshmërisë së aktit normativ. Gjykata Kushtetuese, në disa vendime të saj ka interpretuar kuptimin e termave “nevojë” dhe “urgjencë”.

“Sipas jurisprudencës kushtetuese, nevoja dhe urgjenca janë rrethana dhe situata fakti që vlerësohen, rast pas rasti. Ato mund të shkaktohen nga faktorë të ndryshëm jetësorë, natyrorë e shoqërorë. Si raste të tilla përmenden fatkeqësitë natyrore, boshllëku legjislativ i shkaktuar nga shfuqizimi i akteve, nevoja për efekte të menjëhershme në fusha me ndjeshmëri të madhe publike. Ajo që i bashkon të gjitha këto situata është fakti se përfaqësojnë një gjendje jo të zakonshme në jetën e vendit ku evidentohet dukshëm rreziku i ardhjes së pasojave të dëmshme për interesat publikë ose për të drejtat themelore të shtetasve. Ky rrezik dikton nevojën e masave të menjëhershme, por që legjislacioni ekzistues nuk i mundëson dot”, tha Hysi.

Po kështu komisioni ka miratuar aktin Normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”; Aktin Normativ me fuqinë e ligjit nr. 4, datë 16.03.2020 “Për disa shtesa në Aktin normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”; Aktin Normativ me fuqinë e ligjit nr. 5, datë 17.03.2020 “Për një shtesë në Aktin normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”; Aktin Normativ me fuqinë e ligjit nr. 8, datë 24.03.2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në aktin normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”.

Relatorja e aktit normative nr 3, 4,5 dhe 8 znj. Bushka theksoi se, nevoja dhe urgjenca janë elemente me rëndësi të veçantë në përmbajtjen e nenit 101 të Kushtetutës dhe, si të tillë, janë elemente përcaktuese për të drejtën që sanksionon kjo dispozitë.

Ligjet miratuan edhe aktin normativ me fuqinë e ligjit nr. 7, datë 23.03.2020 “Për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve”” si dhe Aktin Normativ me fuqinë e ligjit nr. 9, datë 25.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta në fushë e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19””.

Në përfundim të dikutimeve Komisioni i miratoi të gjitha këto akte me votat e të gjithë anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb