Shtatë persona janë arrestuar dhe mbi 100 serverë janë sekuestruar në kuadër të një operacioni të gjerë ndërkombëtar kundër një rrjeti kriminal që dyshohet se mashtronte qytetarët përmes platformave të investimeve online. Aksioni është zhvilluar në disa shtete, mes tyre Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Qipro, Finlanda dhe Izraeli, me mbështetjen e Eurojust dhe Europol.

Në Shqipëri, operacioni është koordinuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet e huaja. Autoritetet shqiptare kanë qenë pjesë e dy ekipeve të përbashkëta hetimore të ngritura në Eurojust, njëri prej të cilëve me Gjermaninë dhe Poloninë, ndërsa tjetri me Kosovën.

Nga hetimet dyshohet se një kompani me bazë në Qipro dhe Izrael ofronte shërbime të paligjshme për grupe kriminale, duke krijuar faqe interneti mashtruese për skema investimesh online. Klientë të dyshuar të kësaj kompanie janë identifikuar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku dyshohet se administronin qendra telefonatash për të mashtruar qytetarët.

Gjatë operacionit janë kontrolluar 17 ambiente, përfshirë edhe një qendër telefonatash në Kosovë. Përveç serverëve, janë sekuestruar edhe prova dhe pasuri të tjera. Shtatë persona janë arrestuar me qëllim dorëzimin ose ekstradimin e tyre drejt Gjermanisë.

Sipas hetimeve, rrjeti kishte viktima në vende të ndryshme të botës, të cilave u premtonte fitime të mëdha në një kohë të shkurtër përmes investimeve në kriptomonedha, valuta të huaja dhe aksione. Fillimisht, qytetarëve u shfaqeshin fitime të rreme në platformat online, ndërsa më pas persona që paraqiteshin si ndërmjetës ushtronin presion psikologjik për t’i bindur të investonin shuma gjithnjë e më të mëdha.

Kur viktimat kërkonin të tërhiqnin paratë, përballeshin me pengesa dhe justifikime të ndryshme, derisa personat pas skemës zhdukeshin me shumat e investuara. Dëmi financiar i shkaktuar nga aktiviteti kriminal vlerësohet në mbi 4 milionë euro.

Hetimi nisi në vitin 2022, pas kallëzimit të një çifti gjerman, i cili kishte investuar kursimet në një platformë online, por nuk kishte mundur të tërhiqte fitimet e pretenduara. Pas më shumë se katër vitesh hetime, bashkëpunimi mes autoriteteve të disa shteteve çoi në aksionet e fundit, arrestimet dhe sekuestrimin e provave.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb