Erion Veliaj ka reaguar pas transferimit të tij nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, duke kundërshtuar mungesën e transparencës për vendimin e marrë nga autoritetet.

Përmes një statusi në Facebook, Veliaj shprehet se kanë kaluar 31 orë deri në momentin kur është njoftuar se vendimi për transferimin është klasifikuar si sekret.

Sipas tij, mosvënia në dispozicion e aktit administrativ pengon mundësinë për ta njohur, kundërshtuar dhe ankimuar atë në mënyrë efektive.

 

Më tej, ai e cilëson këtë situatë si kalim nga ajo që e quan arbitraritet në vendimmarrje drejt fshehjes së saj pas klasifikimit si sekret shtetëror.

Në reagimin e tij, Veliaj i kërkon autoriteteve që t’i vënë në dispozicion autorizimin e kryeministrit, përmes të cilit, sipas tij, përcaktohet autoriteti për klasifikimin e informacionit si sekret.

“Na vini në dispozicion autorizimin e Kryeministrit të vendit që ju autorizon si autoritet klasifikues”, përfundon reagimin e tij Erion Veliaj.

Transferimi i tij në burgun e Fierit ka nxitur reagime nga mbrojtja ligjore dhe figura publike, ndërsa debati për arsyet e këtij vendimi dhe transparencën institucionale vijon.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb