NGA: ERMELINDA HOXHAJ*

Ministria e Arsimit dhe Sportit ditën e djeshme ka miratuar udhëzimin për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2016, ku përfshihen datat e zhvillimit të pesë provimeve, kohëzgjatja e tyre si dhe struktura e testit. Provimi i parë i maturës edhe për këtë vit do të jetë Gjuha e Huaj me detyrim, që do të zhvillohet në 4 qershor 2016. Për herë të parë testi i këtij provimi do të hartohet, administrohet dhe vlerësohet nga AKP dhe jo nga DAR/ZA-të, siç është bërë në dy vitet e mëparshme, testi është i nivelit B1. Ndërsa të fundit janë dy provimet me zgjedhje, që do të zhvillohen në datë 24 qershor. Struktura e testeve do vijojë të jetë ajo e viteve të mëparshme, me përjashtim të testit të Anglishtes me zgjedhje. Për herë të parë në këtë maturë do të përdoret testi TOEFL Junior, standard-testi është në nivelin gjuhësor B2 dhe përmban 126 pyetje me alternativa. “ETS Global” do të kryejë të gjitha proceset që lidhen me “TOEFL Test”, duke përfshirë përgatitjen e testeve, administrimin dhe vlerësimin e tyre. Provimet e Maturës i jep maturanti i vitit shkollor 2015-2016, që ka përfunduar me sukses vitin e fundit shkollor dhe ka plotësuar formularin A1. Si dhe maturantët e viteve të mëparshme që kanë plotësuar formularin A1Z. Sipas rregullores së maturës, kandidati nuk quhet kalues nëse ka marrë më pak se 20% të pikëve të testit.

Datat &Kohëzgjatja
Në 24 mars, ministrja Lindita Nikolla ka firmosur udhëzimin për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2016, ku ka përcaktuar datat e tri provimeve të detyruara dhe dy provimeve me zgjedhje. Në datë 4 qershor, rreth 40 mijë maturantë do të japin provimin e detyruar të gjuhës së huaj, ndërsa në 11 provimin e Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë, në 17 qershor provimin e detyruar të Matematikës, ndërsa të fundit janë provimet me zgjedhje, të cilat do të jenë në 24 qershor 2016. Në udhëzim përcaktohet se: “Provimet e detyruara dhe me zgjedhje fillojnë në orën 10:00. Provimet e detyruara zgjasin 2 orë e 30 minuta secila. Provimet me zgjedhje zgjasin 3 orë. Kandidatët që do të japin provim të Maturës Shtetërore njërën nga lëndët me zgjedhje do ta fillojnë provim në orën 11:30 dhe do të përfundojnë atë në orën 13:00”. Në këtë udhëzim përcaktohet se brenda datës 3 qershor, drejtorët e shkollës duhet të informojnë maturantët mbetës në provimet e klasës që nuk duhet të hynë në provimet e maturës. Maturantët e shkollave pedagogjike dhe seksionet dygjuhëshe, provimet “Gjuhë dhe letërsi italiane”, “Gjuhë dhe Letërsi greke” dhe “Gjuhë frënge” provimin do ta zhvillojnë në datë 23 maj 2016 pranë shkollave përkatëse.

Përbërja e testit
Para se të futen në provimet e maturës, maturantët e dinë që nëse nuk marrin 20% të pikëve të testit, nuk konsiderohen kalues. Testi për secilin për provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 do të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me 1 pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë. Pra, që një maturant të quhet kalues në provimet me detyrim, duhet të marrë jo më pak se 10 pikë në secilin prej tri provimeve me detyrim. Ndërsa testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të përmbaje 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me 1 pikë secila (10 pikë gjithsej) dhe 10 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 30 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 40 pikë. Dhe me kriterin e vendosur që një maturant është kalues kur merr 20% të testit, në provimet me zgjedhje ata duhet të marrin minimalisht 8 pikë, pra notën 4.5 që të quhen kalues. Në pikën 9 të këtij udhëzimi përcaktohet se maturantët mbetës në provimet e Maturës Shtetërore kanë të drejtën e provimit në sezonin e dytë. Maturantët që do të zgjedhin të japin si provim me zgjedhje Anglishten, këtë vit u ndryshojnë procedurat, pasi për herë të parë do të jetë Anglisht “TOEFL Junior Standard Test”.

Anglishtja
Testi “TOEFL Junior Standard” zhvillohet me shkrim dhe ka nivel gjuhësor B2. Ai përmban 126 pyetje me alternativa dhe zgjat 1 orë 55 minuta. Testi përbëhet nga tri pjesë: pjesa e parë është dëgjimi, pjesa e dytë gramatika dhe fjalori, ndërsa pjesa e tretë është leximi. Secila pjesë përmban nga 42 pyetje. Pjesa e parë zgjat 40 minuta, e dyta 25 minuta dhe pjesa e tretë 50 minuta. Testi përmban disa pyetje, të cilat mund të mos vlerësohen me pikë, ndërsa pyetjet e tjera vlerësohen me pikë të barabarta.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: