TIRANË

Maturantët kanë dalë sërish sot të protestojnë për shkak të pakënaqësive të krijuara nga provimi i Gjuhë-Letërsisë, për të cilin kanë deklaruar se nuk ka qenë sipas udhëzimeve.

Gazetarja Ida Ismalaj raportoi për “BalkanWeb” se maturantët kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë duke kërkuar rivlerësim të testit dhe uljen e kufirit për notën 9 dhe 10. Ata janë ulur këmbëkryq në mes të rrugës për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.

Një prej maturanteve tha se problematikat janë shtuar pasi kanë dëgjuar shqetësimet që vijnë nga shkolla të ndryshme.

“Pjesa më e madhe kemi qenë nga gjimnazet, duke ndenjur këtu mësuam problematikat e shkollave profesionale që ata kanë lëndë të tjera dhe është më e vështirë dhe kjo nuk është e drejtë. Duhet gjetur një zgjidhje. Ne duhet të ishim duke mësuar tani jo duke protestuar. Megjithëse pasi shkojmë në shtëpi ne ulemi mësojmë”, deklaroi maturantja.

Dje maturantët dorëzuan në MAS draftin me të gjitha problematikat që ata mendojnë se kishte testi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, duke sjellë edhe pyetje konkrete, të cilat janë pakuptimta dhe thuajse të pamundura për t’iu përshtatur një alternativë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: