TIRANË- Maxhoranca e ka humbur për të disatën herë kuorumin e 84 votave në Parlament. Pasi kishte që nga muaji qershor që nuk arrinte të votonte projektligjin “Për ndryshime në Kodin Rrugor”, në seancën e kësaj të enjteje shumica qeverisëse vërtetoi edhe një herë se largimet dhe arrestimet e deputetëve të maxhorancës e bëjnë të pamundur grumbullimin e 84 votave, shkruan Panorama.

Projektligjet që janë diskutuar gjatë ditës së djeshme kanë kaluar me shumicë të thjeshtë prej 71 votash, ku krahas mungesës së disa eksponentëve të majtë, ra në sy edhe mungesa e deputetëve të PDIUsë. Por në pamundësi për t’u përfaqësuar me të gjithë numrat në Kuvend ka qenë edhe opozita seancën e djeshme. Gjatë votimit të projektligjeve, opozita ka arritur të bëjë oponencë me maxhorancën me vetëm 2 vota.

Nënkryetari i PD­-së, Edmond Spaho dhe deputeti Genc Pollo, ishin të vetmit që kanë rezistuar për të qëndruar deri në fund të votimit. Por ajo që ra në sy gjatë votimit të djeshëm ishte përplasja e aleatëve PS-LSI për të votuar apo jo projektligjin për një shtesë në ligjin “Për nëpunësin civil” të propozuar nga deputetët Ruli, Shalsi e Bitri. Kreu i Grupit të PS­së, Ruçi, kërkoi që të rrëzohej kërkesa e deputetëve të maxhorancës dhe opozitës për një sistem të ri pagash për punonjësit e Entit Rregullator Energjetik, ndërkohë që LSI kërkoi që projektligji të shtyhej edhe për shkak të pamundësisë së maxhorancës për të bërë kuorumin e 84 votave.

Maxhoranca arriti të kalojë dje në Kuvend edhe projektligjin “Për barbat dhe shërbimin farmaceutik”, pavarësisht debateve dhe akuzave Rama dhe Idrizi dje në Parlament ndaj ministrit Ilir Beqaj.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb