Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak la folur sot në Kuvend për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, referuar situatës në veri të Kosovës.

Gjatë vizitës në Tiranë, Novak ka mbajtur një fjalim të veçantë edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Ajo u shpreh se është parë sa pak duhet për të rritur tensionet dhe situata të kalojë në nivel lufte. Presidentja hungareze theksoi se është e rëndësishme të ruhet stabiliteti dhe siguria e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Kam ardhur në Shqipëri në një kohë kritike. Europa po përballet me vështirësi. Në radhë të parë, lufta në Ukrainë dhe pasojat e kësaj lufte. Në radhë të dytë Ballkani perëndimor, stabiliteti. Dhe së treti rritja e vazhdueshme e imigracionit ilegal, Së katërti sfidat demokratike. Së pesti fuqia politike botërore e Europës është në pikëpyetje. Duhet të flas në lidhje me luftën në Ukrainë.

Të gjithë ishin të habitur me atë që ka ndodhur në Ukrainë. Vendimi i Rusisë për të sulmuar fqinjin e tij na ka vënë në një situatë të re. Dua të përmend që si fqinj të Ukrainës kemi ndihmuar 2 mln refugjatë. Shumica e tyre nuk kanë qëndruar për një kohë të gjatë. Ne jemi aty kur duhet të japim ndihmë humanitare. Lufta duhet të mbarojë sa më shpejt. Shohim rritje të çmimit të energjisë elektrike, inflacioni, shohim frikën në sytë e njerëzve në Europë. Çdo njeri ka frikë se lufta mund të shkojë deri në kombin e tij. Së dyti kam përmendur stabilitetin. Të gjithë shohim Ukrainën por ne harrojmë sa i rëndësishëm është që Ballkani perëndimor të ketë paqe dhe siguri.

Sa pak duhet për të rritur tensionet që kjo pastaj të kalojë edhe në nivel lufte. Është e rëndësishme të ruajmë stabilitetin dhe sigurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në Kosovë, në misionin e KFOR-it ka 400 ushtarë hungarezë, 20 janë lënduar gjatë sulmeve të fundit. Shumica e tyre janë në spital. Jam i bindur që stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është çelës për integrimin europian. Paqja, siguria e Europës varet shumë nga Ballkani Perëndimor. Ne mbështesin integrimin e Shqipërisë në BE. Ndaj duam që ju, shqiptarët t’ju përshëndesim si qytetarë të BE. Edhe ne kemi nevojë për ju brenda BE”, tha ajo.

FJALA E PLOTE
E nderuara zonja Kryetare! Të nderuar deputetë, të nderuar të ftuar!

Së pari, ju falënderoj për mundësinë që t’ju drejtohem këtu në Kuvend sot.
Është hera e parë që vizitoj Tiranën, është hera e parë që vizitoj Shqipërinë dhe si kryetar shteti, është nder për mua të bëj një vizitë shtetërore në Shqipëri. Jam gjithashtu e kënaqur që kam marrëdhënie të mira me Presidentin e Shqipërisë dhe këtë herë kemi pasur një diskutim kuptimplotë. Ju faleminderit që më keni prezantuar me zonjën Zëvendëskryetare. Më lejoni të shtoj gjithashtu se nuk jam vetëm gruaja e parë që mbaj postin e Presidentit të Hungarisë, por jam edhe nënë e tre fëmijëve. Unë nuk jam vetëm grua, por edhe nënë e tre fëmijëve dhe për mua mëmësia është roli im më i rëndësishëm, roli që del para çdo gjëje tjetër, që është më i rëndësishmi në jetën time. I jam mirënjohës Zotit që pata mundësinë të sjell tre fëmijë në botë dhe që mund të rrit tre fëmijë së bashku me bashkëshortin tim. Kjo vizitë sot në Tiranë është gjithashtu e rëndësishme për mua, sepse po bëj çmos për të promovuar marrëdhëniet diplomatike të Hungarisë edhe si presidente e vendit tim. Dhe një fushë prioritare e këtyre marrëdhënieve diplomatike është marrëdhënia e ngushtë me vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga këto vende, Shqipëria është veçanërisht e rëndësishme, me të cilën Hungaria ka marrëdhënie të vjetra historike, miqësore. Nuk janë vetëm liderët e dy vendeve që janë në marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, por edhe populli hungarez dhe ai shqiptar. Ne e respektojmë njëri-tjetrin, e kuptojmë njëri-tjetrin dhe e mbështesim njëri-tjetrin. Kjo do të thotë, ne mund të mbështetemi tek njëri-tjetri. Më parë, pata mundësinë për tetë vjet të punoja për të mbështetur familjet në Hungari.

Për mua kjo është një fushë prioritare, kauzë për të cilën po bëj më të mirën edhe si Presidente e Hungarisë. Për më tepër, unë pata mundësinë të jem vetë deputete e zgjedhur në Parlamentin hungarez për katër vjet, prandaj mund të vlerësoj përgjegjësinë dhe bukurinë e punës suaj, sepse ka edhe detyra më të bukura sesa të mandatohesh nga elektorati për të përfaqësuar. interesat e tyre.
Unë jam duke vizituar Shqipërinë në kohë kritike. Evropa është në telashe. Evropa po përballet me vështirësi, vështirësi me të cilat nuk është përballur për një kohë shumë të gjatë. Do të doja të veçoja pesë prej tyre. Në veçanti, lufta në Ukrainë dhe pasojat e asaj lufte. Së dyti, rëndësia dhe brishtësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Së treti, presioni gjithnjë në rritje i migracionit të paligjshëm në Evropë. Së katërti, sfidat demografike me të cilat po përballemi tani më shumë se kurrë më parë në historinë tonë. Së pesti, dhe kryesisht si rezultat i kësaj ose të gjithë sa më sipër, vënia në pikëpyetje e peshës së Evropës në politikën botërore, pyetja se çfarë roli mund të luajë Evropa në të ardhmen, në politikën botërore. Do të doja t’ju drejtohem shkurtimisht për këto pesë pika. Së pari, lufta në Ukrainë. Të gjithë ishim të tronditur nga ajo që ndodhi në Ukrainë. Vendimi i Rusisë mbi një vit më parë për të sulmuar fqinjin e saj dhe për të pushtuar Ukrainën sovrane na konfrontoi të gjithëve me një situatë të re. Ne qëndrojmë pranë Ukrainës, mbështesim sovranitetin, integritetin territorial të Ukrainës dhe po ndihmojmë njerëzit që ikin nga lufta në Ukrainë. Në këtë pikë, dua t’ju vë në dukje se Hungaria, si një fqinj i drejtpërdrejtë me Ukrainën, ka ndihmuar deri më tani pothuajse 2 milionë njerëz të ikur nga Ukraina. 2 milionë njerëz – ky është një numër shumë i lartë për një vend prej dhjetë milionësh, edhe nëse një numër i konsiderueshëm refugjatësh nga Ukraina nuk do të qëndronin në Hungari për një kohë të gjatë. Siç e shihni, ne jemi atje ku nevojitet ndihma humanitare dhe ne mbështesim Ukrainën në luftën e saj. Megjithatë, ne jemi të bindur se kjo luftë duhet të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur. Ne duhet të gjejmë rrugën për hedhjen e armëve, për një marrëveshje paqeje.

Në vend të më shumë operacioneve ushtarake, ne kemi nevojë për një armëpushim. Në vend të armëve na duhen negociata. Në vend të viktimave, ne do të dëshironim të shihnim familjet të qëndrojnë së bashku, dhe në vend të arkivoleve, djepa. Kjo është ajo që dëshirojmë për Ukrainën, kjo është ajo që do të donim të shohim, një marrëveshje paqeje dhe një rrugë drejt një marrëveshjeje paqeje, sepse çdo luftë ka vetëm humbës dhe zgjidhja gjendet vetëm në paqe. Lufta ka pasoja shumë të rënda edhe përtej humbjes së jetëve njerëzore. Ne shohim rritjen e çmimeve të energjisë, inflacionin e vazhdueshëm të shkaktuar nga lufta dhe pasojat e saj negative në ekonomitë tona, duke vuajtur në të gjithë Evropën. Ne e shohim pasigurinë, frikën edhe në sytë e evropianëve. Të gjithë kanë frikë se edhe familja e tyre, vendi i tyre, do të përfshihet në këtë luftë. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të gjendet një rrugë drejt paqes dhe pse është e rëndësishme që palët ndërluftuese të sillen në tryezën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur. Pika e dytë që përmenda ishte prioriteti i stabilitetit, paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Tani, kur të gjithë po shikojnë Ukrainën, dhe me të drejtë, ne priremi të harrojmë rëndësinë e paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Mjafton të shikoni Kosovën, apo edhe Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe mund të shihni se sa e brishtë është situata, sa pak nevojitet për të rritur tensionet dhe sa pak është e mjaftueshme për ta kthyer atë në një konflikt serioz, madje edhe në luftë.
Kjo është edhe arsyeja pse për ne është me rëndësi kyçe ruajtja dhe rivendosja e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në Kosovë, në forcat e KFOR-it shërbejnë edhe ushtarakë hungarezë, ushtarë hungarezë. Mbi 400 ushtarë hungarezë shërbejnë në misionin e KFOR-it. Njëzet prej tyre tani janë plagosur gjatë sulmeve të fundit dhe shumica prej tyre tani trajtohen në spital. Ne shohim se sa lehtë gjërat mund të bëhen të dhunshme dhe duam ta shmangim atë me çdo kusht. Jam e bindur se çelësi i stabilitetit të Ballkanit Perëndimor është integrimi në Bashkimin Evropian. Jam e bindur se integrimi në BE është ai që do të çojë drejt paqes, sigurisë dhe stabilitetit në të gjithë Evropën, sepse çelësi i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Evropë gjendet kryesisht në Ballkanin Perëndimor. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për një proces të integrimit evropian sa më shpejt të jetë e mundur, sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo është arsyeja pse ne po mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, prandaj ju ofrojmë asistencë profesionale dhe për këtë arsye ne po e mbështesim këtë kudo, edhe në nivelin politik. Ju mirëpresim ju, popullin shqiptar, si qytetarë të Bashkimit Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse jo vetëm ju keni nevojë për Bashkimin Evropian, por edhe ne hungarezët, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kemi nevojë për ju brenda BE-së. Së treti, përmenda migrimin ilegal. Migrimi i paligjshëm është një kërcënim në rritje për Evropën, ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndaluar migrimin e paligjshëm, për të bërë të pamundur funksionimin e kontrabandistëve dhe trafikantëve të njerëzve dhe për të frenuar këtë tendencë në rritje të migrimit të paligjshëm. Mund të mbështetemi tek njëri-tjetri edhe në këtë. Si pikën time të katërt, përmenda demografinë dhe familjen. Gjithnjë e më pak fëmijë lindin në Evropë. Fakti që nuk lindin mjaft fëmijë është problem në çdo vend evropian. Jam e vetëdijshme që edhe në Shqipëri ritmet e martesave janë në rënie, divorcet po rriten dhe të rinjtë kanë gjithnjë e më pak fëmijë. Edhe ne në Hungari jemi përballur me probleme të ngjashme dhe kemi dhënë një përgjigje pro-familjes. Ne besojmë në vlerat tradicionale të familjes dhe jam e bindur se forcimi i vlerave tradicionale familjare do të dëshmojë zgjidhjen afatgjatë të problemeve tona demografike. Edhe për këtë ju ofrojmë një partneritet, ne hungarezët për popullin shqiptar dhe vendimmarrësit e Shqipërisë. Besoj se mund të bashkëpunojmë edhe në këtë fushë. Së fundi, lind pyetja se çfarë peshe do të ketë Evropa në të ardhmen, ndërkombëtarisht, globalisht. Sa do të jetë në gjendje Evropa të ruajë peshën politike, ekonomike dhe demografike që ka aktualisht në botë. Mënyra se si e shoh unë është se perspektivat tona janë të zymta. Nëse dështojmë t’i përgjigjemi me mençuri sfidave që na prekin më shumë në këtë pikë, shanset janë që Evropa të mbetet prapa në konkurrencën globale dhe të humbasë shumë nga pozicioni i saj aktual.

Prandaj, zgjidhja është gjetja dhe qëndrimi në rrugën që çon drejt paqes, sigurisë dhe prosperitetit. Shqipëria është pjesë e Europës. Ne duam që Shqipëria të bëhet pjesë zyrtare e Evropës sa më shpejt të jetë e mundur. Ne kemi nevojë për Shqipërinë brenda Bashkimit Evropian. Ne kemi nevojë për ju brenda Bashkimit Evropian dhe ju mund të mbështeteni tek ne, ashtu si në histori, Skënderbeu dhe Huniadi gjithashtu mund të mbështeteshin te njëri-tjetri. Faleminderit për vëmendjen dhe ju uroj shumë suksese në punën tuaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb