KUKES– Fermerët e qarkut të Kukësit janë njohur me nismat e reja të qeverisë për skemat mbështetëse në bujqësi dhe blegtori. Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, i cili ndërsa prezantoi risitë e skemës, në një drekë me ta u kërkoi së pari që të unifikohen. Sipas kreut të qeverisë është e rëndësishme jo vetëm bashkimi i fermerëve për mundësi financimi, por edhe vetë bashkitë mund të bëhen bashkëaksionere në kultura të veçanta siç janë thertoret.

“Është shumë e rëndësishme pjesa që ka të bëjë me thertoret dhe këtu bashkitë kanë rolin e tyre, sepse nuk duhet të presim që të bashkohen patjetër disa fermerë, por bashkia mund të jetë aksionere në këtë pjesë”, tha ai.

Një fokus të veçantë nga Qeveria ka edhe agroturizmi përmes projektit “100 fshatrat”, që sipas ministrit të Bujqësisë Niko Peleshi zona e Kukësit përfaqësohet nga katër fshatra.

“Në gjithë qarkun e Kukësit kemi katër fshatra, Shishtaveci, Shtiqni, Valbona dhe Cahani, pra katër fshatra, pjesë e skemës së “100 fshatrave” ku ne mbështesim me prioritet strukturat e agroturizmit. Kemi bërë një standard, ku nëse ndërtohet një strukturë akomoduese me të paktën 6 dhoma dhe e shoqëruar me një fermë, merr statusin e agorturizmit dhe pastaj mbështetja nga AZHBR është e konsiderueshme”, tha ministri Peleshi.

Edhe për kryeministrin Rama agroturizmi duhet të shihet si një fushë me perspektivë të mirë për të gjithë ata që jetojnë në fshat.

“Nëse ti ke një situatë gjeografike të vështirë, ke mundësi të kufizuara për të zhvilluar bujqësinë apo blegtorinë, por ke në atë situatë një përrallë natyrë e ndërton aty një bujtinë, me disa dhoma fjetjeje, një fermë të vogël, një restorant gjysmë familjar, ti ke mundësi të kesh gjithë vitin punë. Pra e kthen pozicionin tënd në një pozicion strategjik si një strukturë mikpritjeje”, tha kryeministri Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb