Analisti Shpëtim Nazarko ka deklaruar sot se fabrikat e riciklimit mund të funksionojnë me mbetjet e vendit. Ai ka treguar edhe një mënyrë, tepër të thjeshtë sipas tij dhe me kosto minimale.

Në rubrikën “Opinion” në News24, Nazarko kritikoi ashpër kryeministrin, Edi Rama pasi siç tha ai: “ta kundërshtosh ligjin në fillim të mandatit dhe ta miratosh në fund, do të thotë se ose je i çmendur, ose të është bërë shantazh ose arka e shtetit është bosh. Edhe ti thua, ore ky është budalla që e bën këtë punë, ose është praktikisht shteti pa lekë dhe na hyn ndonjë mafie këtu”, – tha Nazarko.

Analisti foli edhe për situatën e krijuar në vend pas miratimit të ligjit që sipas tij ka një kosto të lartë dhe kritikoi propagandën e qeverisë për këtë çështje. Nazarko krahasoi importin e mbetjeve me çështjen e naftës që prodhohet nga Shqipëria.

“Kjo kosto nuk është vetëm tek plehrat, por edhe tek nafta po ta shohësh e eksportojmë, e pastrojnë dhe e importojmë. Shumë mjeranë ose të varfër, venë mbledhin shishe e kanoçe tek kazanët dhe i çojnë tek fabrikat e riciklimit. Këta përbëkan 30 mijë. Para pak kohësh, shumë prej tyre ankoheshin se kryetari i bashkisë u kishte marrë biznesin. Nëse i marrim këto plehra dhe i sjellim këtu, çdo bëjmë me plehrat tona do i çojmë në landfilld në rastin më të mirë se edhe mund të digjen. Shembulli i të varfërve na tregon se mund të bënim diçka tjetër me 5 euro. T’u thuash 2 pensionistëve merrni këto qese dhe ndajuani këtyre për t’i ndarë mbeturinat. Brenda 1 muaji do rregullohet kjo dhe bashkia mund të rregullojë problemet e veta. Këto mbetje u çoheshin fabrikave të riciklimit dhe të gjithë janë të kënaqur”, propozoi Nazarko.

Ai tha se të gjithë flasin dhe vijnë vërdallë dhe po tmerrojnë qytetarët me këtë sasi informacioni.

“Ministria e Financave bënte propagandë se shiko nuk do marrim këto ne…Të njëjtën gjë bën Erion Veliaj që vjen vërdallë. Se ç’më duhet mua se ç’bën ai kur kjo histori i mbetjeve terrorizon banorët. Edhe opozita po ashtu. Jemi në një shoqëri ku të gjitha palët vijnë vërdallë dhe thonë se po bëjnë një gjë të madhe. Nëqoftëse kjo qeveri do të merrte nga 25 elementë dhe do t’i bënte 45 normalisht duhet dënuar. Nëse kjo qeveri do bënte djegien, do ishte akt kriminal. Ajo që ka bërë gabim qeveria, është një propagandë që njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit. Një njeri i thjeshtë tmerrohet nga kjo sasi informacioni. Problemi i plehrave duhet të trajtohet si çdo problem tjetër. Që të ndodh kjo nuk duhet të ketë propagandë të Ministrisë së Financave dhe shoqërisë civile”, tha Nazarko.

“Më la shije të keqe, ministri i Financave, edhe Shoqëria Civile, edhe kryeministria. Është e njëjtë si historia që derdhim plehra atje, edhe historia që hedhin qepe fermerët e Korçës. Se prodhimet tona hidhen në plehra, e importohen nga Maqedonia prodhime, e me radhë.

Mendoj se kryeministri duhet të marrë ata që ka rrotull vetes, dhe t’i shpjegojnë këtë punën e mbetjeve. Pasi procesi do të rezultojë me humbje. Nuk e mbron dot Barja këtë. Ai nuk është llogaritar. Ai mund të vlerësojë në cilën temperaturë shkrihet alumini”, u shpreh më tej analisti.

Nazarko tha se qytetarëve duhet t’i shpjegohet mirë çështja e importit të mbetjeve, dhe kjo duhet të ndodhë para se të shkohet në referendum, nëse do të ketë një të tillë. Ndërkaq, ai u shpreh edhe mbi rolin e Shoqërisë Civile në ditët e sotme.

“Edhe kur kauza është e drejtë, nuk mund të pritet mirë nëse sillet në mënyrën jo të duhur. Para se të shkosh në referendum duhet t’ia shpjegosh njerëzve çështjen. Unë e di që jo të gjithë shqiptarët e kuptojnë këtë punën e mbetjeve. Sot Shoqëria Civile nuk është më shoqëri civile. Është si bashkimet profesionale që ishin dikur. Sot merren fondet e botës e tundet një flamur aty ku bën sikur proteston. Shoqëria Civile duhet të angazhohet çdo ditë. Dhe të luajë një rol kyç në rastet kur ka një krizë politike”, tha Nazarko.

(m.k/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: