Analisti Evarist Beqiri, duke komentuar protestën e 121-të kundër qeverisë, deklaroi se qëndrimi i qytetarëve për më shumë se katër muaj në shesh dëshmon, sipas tij, një vullnet të fortë për ndryshimin e situatës në Shqipëri.

I ftuar në studion e News24 me gazetaren Daljana Sejdia, Beqiri u shpreh se shqetësimet e ngritura nga protestuesit janë të drejta, ndërsa tha se mbështetja ndaj tyre është reflektuar edhe në pjesëmarrjen në tubime.

“Mbi katër muaj në shesh tregojnë një vullnet të fuqishëm qytetar për të ndryshuar situatën në Shqipëri. Shqetësimet janë të drejta, protestuesit kanë gjithë mbështetjen e shqiptarëve dhe ajo është parë edhe nga pjesëmarrja masive”, deklaroi Beqiri.

Megjithatë, analisti theksoi se vetëm protesta dhe denoncimi i problematikave nuk mjaftojnë. Sipas tij, lëvizja duhet gradualisht të arrijë të prodhojë edhe një alternativë konkrete për të nesërmen.

“Nga ana tjetër, nuk mjafton vetëm të dalim në shesh dhe të ankohemi, për të protestuar për problemet e vendit. Gradualisht duhet të ketë edhe një alternativë për të nesërmen. Duhet ndërtuar një alternativë. Njerëzit të kenë mundësi të kuptojnë që ka vend për të ndërtuar diçka dhe një ndryshim në drejtimin e duhur. Një pushtet që do t’i trajtojë ndryshe qytetarët”, tha ai.

Beqiri e sheh protestën edhe si një mundësi për krijimin e figurave dhe drejtuesve të rinj politikë, duke e cilësuar këtë si një nga pritshmëritë kryesore nga lëvizja qytetare.

“Protesta duhet të shërbejë si një inkubator për një lidership të së nesërmes. Kjo është shpresa më e madhe nga kjo protestë”, përfundoi Beqiri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb