Përplasjet mes studentëve protestues dhe policisë u zhvilluan prej 8 orësh para Ministrisë së Arsimit, ku situata u raportua e tensionuar, ndërsa uniformat blu u janë përgjigjur protestuesve me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Protesta tashmë është zhvendosur te Bashkia e Tiranës, ku protestuesit kanë hyrë edhe brenda godinës dhe ka goditur edhe me gurë, dhe zona të tjera të kryeqytetit.
Protesta nisi në orën 14:00 me thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe Qeverisë së tij.
Për rreth 60 minuta studentët vijuan paqësisht protestën me thirrje dhe parulla kundër qeverisë, ndërsa më pas hodhën drejt godinës së Ministrisë vezë por edhe pllaka trotuari duke thyer xhamat e institucionit. Ata shembën edhe kangjellat e trotuarit, ndërsa arritën të hapin edhe një prej dyerve metalike të Ministrisë.
Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, duke tentuar të shpërndajë studentët.
Por studentët kanë vijuar rezistencën përpara institucionit, teksa atyre u janë bashkuar edhe mijëra të tjerë të cilët marshuan nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Përplasjet vijojnë ndërsa policia nuk kursen gazin lotsjellës, pa kriter, dhe ujin me presion drejt të rinjve.
Studentët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë së tij.
Situata e tensionuar vjen në ditën e 136-të të protestave kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, studentët vijojnë të qëndrojnë në protestë, duke shënuar një tjetër përballje mes qytetarëve dhe forcave të rendit.
Protesta vijon mes tensioneve, ndërsa përdorimi i gazit lotsjellës dhe ujit me presion ka përshkallëzuar situatën para Ministrisë së Arsimit.
