Partizani po paguan shtrenjtë në javët më vendimtare të sezonit një problem që e ka shoqëruar në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë kampionatit, paqëndrueshmërinë në repartin difensiv. Në një moment ku çdo pikë ka peshë specifike në garën për “Final Four”, të kuqtë po shfaqin sërish vështirësi të dukshme në mbrojtje, duke humbur sigurinë që në sezonet e mëparshme ka qenë një nga armët kryesore të skuadrës.

Në katër ndeshjet e fundit, Partizani ka pësuar nëntë gola, një shifër që flet qartë për problemet në fazën mbrojtëse dhe për vështirësinë që skuadra ka pasur për të ruajtur ekuilibrin në momentet kyçe të ndeshjeve. Barazimet ndaj Vorës dhe Teutës, humbja ndaj Vllaznisë dhe më pas disfata e rëndë në Elbasan kanë nxjerrë në pah të njëjtat mangësi: mungesë përqendrimi, gabime në markim dhe vështirësi në menaxhimin e situatave të topave të ndalur. Një nga problemet më evidente të Partizanit ka qenë pikërisht mbrojtja e goditjeve standarde, një aspekt që historikisht ka qenë pikë e fortë për të kuqtë, por që këtë sezon është kthyer në një dobësi të dukshme. Skuadra ka pësuar disa gola nga goditje këndi dhe anësore, duke treguar mungesë agresiviteti në duelet ajrore dhe koordinim jo të plotë në zonë.

Në këtë situatë ka ndikuar edhe mungesa e vazhdimësisë në përbërjen e repartit difensiv. Gjatë sezonit, Partizani ka ndryshuar shpesh në mbrojtje, si për shkak dëmtimesh ashtu edhe për zgjedhje teknike, çka ka penguar krijimin e një stabiliteti të nevojshëm në prapavijë. Rotacionet e shumta kanë bërë që skuadra të mos ketë një katërshe fikse, element ky shpesh vendimtar për funksionimin e një mbrojtjeje solide. Edhe individët që kanë mbajtur peshën kryesore në repartin defensiv kanë pasur luhatje në performancë. N

ë disa raste, mbrojtësit e Partizanit kanë treguar pasiguri në duelet individuale, ndërsa në raste të tjera kanë munguar në leximin e situatave dhe në ndërhyrjet vendimtare. Kjo ka bërë që skuadra të pësojë gola të evitueshëm në momente ku kontrollonte ritmin e ndeshjes. Një tjetër element që ka ndikuar është edhe balanca e përgjithshme e ekipit. Problemet mbrojtëse nuk lidhen vetëm me katërshen e prapavijës, por edhe me mënyrën se si skuadra mbron si bllok. Në disa ndeshje të fundit është vënë re një distancë më e madhe mes reparteve, duke i lënë mbrojtësit të ekspozuar në situata tranzicioni apo një kundër një. Kjo ka bërë që kundërshtarët të gjejnë më shpesh hapësira për të goditur.

“FINAL 4”- Nëse Partizani dëshiron të ruajë objektivin e “Final Four”, përmirësimi në mbrojtje është një domosdoshmëri e menjëhershme. Kalendarit i mbetur rezervon përballje ndaj kundërshtarëve që dinë të ndëshkojnë çdo pasiguri dhe skuadra nuk mund të përballojë më të përsërisë të njëjtat gabime. Fakti që në shumë prej ndeshjeve të fundit Partizani ka krijuar volum loje, por nuk ka arritur të marrë rezultat për shkak të golave të pësuar, tregon qartë se problemi kryesor nuk lidhet vetëm me fazën sulmuese.

Në këtë moment të sezonit, mbrojtja po rezulton faktori që po frenon skuadrën në momentin kur çdo detaj mund të bëjë diferencën mes suksesit dhe dështimit. Për një ekip që historikisht ka ndërtuar identitetin mbi forcën fizike, disiplinën taktike dhe sigurinë në prapavijë, rikthimi i soliditetit mbrojtës mbetet kushti kryesor që Partizani të dalë nga kjo periudhë e vështirë dhe të mbajë gjallë objektivat sezonalë. Në të kundërt, problemet në repartin difensiv rrezikojnë të kushtojnë shumë më tepër se sa thjesht disa pikë në tabelë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb