Gati një e pesta e energjisë së futur në rrjetin elektrik shqiptar nuk arrin te konsumatori final, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me humbjet më të larta të energjisë në Ballkanin Perëndimor. Në periudhën 2023-2024, humbjet arritën në 19.4% të energjisë së injektuar në rrjet, më shumë se trefishi i mesatares së Bashkimit Evropian prej 6%. Në të njëjtën kohë, kostoja e energjisë elektrike për bizneset shqiptare është afruar ndjeshëm me nivelin e BE-së, duke krijuar një kontrast mes efikasitetit të dobët të rrjetit dhe çmimeve relativisht konkurruese për konsumatorët jofamiljarë.

Të dhënat janë pjesë e Raportit të Konvergjencës Ekonomike për Ballkanin Perëndimor 2026, të OECD-së i cili analizon ndër të tjera efikasitetin e infrastrukturës energjetike dhe kostot e energjisë për bizneset.

Në Ballkanin Perëndimor, humbjet mesatare të energjisë në rrjet ishin 15.2% në 2023-2024, ose rreth 2.5 herë më të larta se mesatarja e BE-së dhe dukshëm mbi nivelin prej 9.2% të vendeve fqinje të BE-së të përdorura nga OECD për krahasim. Shqipëria, me 19.4%, qëndron dukshëm mbi mesataren rajonale. Vetëm Kosova ka humbje më të larta, me 21.9%, ndërsa Bosnjë-Hercegovina regjistron nivelin më të ulët në rajon, 10.4%.

OECD e mat treguesin si pjesën e energjisë së injektuar në rrjetet e transmetimit dhe shpërndarjes që nuk arrin te përdoruesit fundorë. Humbjet reflektojnë si probleme teknike, të lidhura me infrastrukturën e vjetruar, ashtu edhe humbje joteknike, ku rol luajnë edhe sistemet e vjetra të matjes.

Shqipëria ka bërë megjithatë përparim krahasuar me një dekadë më parë. Së bashku me Kosovën, është ndër vendet e pakta të rajonit ku humbjet janë ulur gjatë periudhës së analizuar. Por përmirësimi nuk ka qenë i mjaftueshëm për të ndryshuar pozicionin e vendit: Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të kenë nivelet më të larta të humbjeve në Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë, në ekonomitë e tjera të rajonit humbjet janë rritur, ndërsa mesatarja e Ballkanit Perëndimor ka mbetur praktikisht e pandryshuar krahasuar me 2014-2016.

Në profilin e Shqipërisë, OECD e vlerëson performancën relative për humbjet e energjisë me 28.4 pikë kundrejt mesatares 100 të BE-së në 2023-2024, nga 23 pikë në 2014-2016. Pra, ka përmirësim, por hendeku me standardin evropiab vijon të jetë i madh.

Kostoja e energjisë për bizneset afrohet me BE-në

Ndryshe nga humbjet në rrjet, kostoja e energjisë elektrike për konsumatorët jofamiljarë del si një tregues më pozitiv për Shqipërinë dhe rajonin.

Në Ballkanin Perëndimor, çmimi mesatar i energjisë për konsumatorët jofamiljarë ishte 0.25 USD për kWh në 2023-2024, pothuajse i njëjtë me mesataren e BE-së prej 0.26 USD/kWh dhe dukshëm më i ulët se 0.36 USD/kWh në grupin e vendeve fqinje të BE-së. OECD vlerëson se kostot relativisht të përmbajtura të energjisë përbëjnë një avantazh për konkurrueshmërinë e bizneseve në një pjesë të rajonit.

Edhe Shqipëria është afruar ndjeshëm me nivelin evropian. Rezultati relativ i vendit për këtë tregues është rritur nga 48.2 në 2014-2016 në 98 në 2023-2024, në një shkallë ku mesatarja e BE-së është 100. OECD e rendit pikërisht rënien e kostove të energjisë, së bashku me zgjerimin e mbulimit 4G, ndër zhvillimet më pozitive të Shqipërisë në klasterin e infrastrukturës dhe lidhshmërisë.

Brenda rajonit, diferencat në çmimin e energjisë për bizneset janë të mëdha. Kosova ka nivelin më të ulët, 0.18 USD/kWh, rreth 30% nën mesataren e BE-së. Në skajin tjetër, Maqedonia e Veriut arrin 0.38 USD/kWh, pothuajse 50% mbi mesataren evropiane, çka OECD e lidh me varësinë e lartë nga importet e energjisë.

Raporti thekson se në nivel rajonal çmimet relativisht të ulëta janë ndikuar edhe nga përdorimi i energjisë së prodhuar nga qymyri dhe nga subvencionet për lëndët djegëse fosile, ndërsa për Shqipërinë, prodhimi elektrik mbështetet kryesisht te hidroenergjia. /ekofin.al

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb