Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bëhet anëtari i 77-të që aderon në Memorandumin Shumëpalësh të Mirëkuptimit të Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS), nga 152 anëtarë të saj.

Përpara anëtarësimit në grupin e vendeve nënshkruese të këtij dokumenti të rëndësishëm bashkëpunimi mes mbikëqyrësve të tregut të sigurimeve, Autoriteti i është nënshkruar një procesi rigoroz verifikimi, në lidhje me përputhshmërinë e bazës ligjore dhe rregullatore, me standardet më të mira ndërkombëtare të IAIS.
Memorandumi Shumëpalësh i Mirëkuptimit i ndihmon mbikëqyrësit, duke përcaktuar kuadrin formal të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit, në drejtim të mbikëqyrjes së shoqërive të sigurimit.

Anëtarësimi i Autoritetit në grupin e vendeve nënshkruese të MmoU-së është përshëndetur nga kryetarja e Komitetit Ekzekutiv të IAIS, Vicky Saporta. “Në mënyrë që të arrihet objektivi ynë kryesor, mbrojtja e konsumatorëve brenda tregut global të sigurimeve, një autoritet mbikëqyrës në sektorin e sigurimeve duhet të jetë në gjendje të bashkëpunojë në mënyrë të shpejtë dhe efektive. MMoU është një mjet rregullator thelbësor për mbikëqyrësit në promovimin e tregjeve të sigurimeve më të sigurta dhe më të qëndrueshme” – theksoi znj. Saporta.

Për Drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete, aderimi në Memorandumin Shumëpalësh të Mirëkuptimit të Shoqatën Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS) erdhi si rezultat i një procesi të gjatë të rishikimit ligjor e rregullator për Autoritetin. “Bashkëpunimi i ngushtë dhe shkëmbimi i informacionit mes rregullatorëve vlerësohet si shumë i rëndësishëm, edhe në kuadër të mbikëqyrjes së grupeve të sigurimit dhe në kuadër të aktiviteteve ndërkufitare.” – theksoi z. Mete.

Memorandumi Shumëpalësh i Mirëkuptimit të IAIS përfaqëson një kuadër global përputhshmërie dhe konfidencialiteti, që i hap rrugën bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes mbikëqyrësve të tregut të sigurimeve. Përmes anëtarësimit në grupin e nënshkruesve të MMoU-së, ku bëjnë pjesë 77 shtete dhe etnitete (nga 152 anëtarë të IAIS), AMF mund të shkëmbejë informacion dhe të japë ose përfitojë asistencë nga nënshkruesit e tjerë, në funksion të stabilitetit financiar dhe mbikëqyrjes efektike të tregut të sigurimeve. AMF ka aderuar në IAIS në vitin 2001.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb