Mbrojtja e të dhënave personale në institucionet e drejtësisë dhe sigurisë publike, si dhe roli i Nëpunësit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale (DPO), ishin në fokus të aktivitetit ndërgjegjësues të organizuar nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë publike.
Në fjalën e tij, Komisioneri Besnik Dervishi e cilësoi ligjin nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të garancive për të drejtat dhe liritë themelore të individit, duke theksuar se përdorimi i të dhënave personale nga autoritetet ligjzbatuese duhet të jetë gjithmonë i bazuar në ligj, proporcional dhe i lidhur ngushtë me qëllimin përkatës.
Komisioneri Dervishi nënvizoi se mbrojtja e të dhënave personale nuk duhet parë si pengesë për institucionet ligjzbatuese, por si një standard demokratik që rrit besimin e publikut tek institucionet. Ai theksoi gjithashtu se zbatimi efektiv i ligjit kërkon bashkëpunim institucional, investim në teknologji të sigurta, rritje të kapaciteteve profesionale dhe forcim të kulturës së mbrojtjes së të dhënave personale.
Gjatë aktivitetit, Zyra e Komisionerit prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e dala nga proceset mbikëqyrëse dhe hetimet administrative të zhvilluara në autoritetet kompetente, duke evidentuar problematika konkrete që lidhen me mungesën e akteve të brendshme rregullatore për përpunimin e të dhënave personale, mungesën e procedurave të posaçme për të dhënat sensitive, ruajtjen e të dhënave personale përtej afateve të përcaktuara ligjore, si dhe mungesën e trajnimeve të vazhdueshme për stafin që përpunon të dhëna personale.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të Nëpunësit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale (DPO), ku u evidentua se në disa institucione mungon ende caktimi i tij, ndërsa në raste të tjera roli i DPO-së mbetet formal dhe jo i përfshirë në proceset vendimmarrëse dhe hartimin e akteve që lidhen me përpunimin e të dhënave personale.
Në këtë kuadër, Zyra e Komisionerit rekomandoi forcimin e pavarësisë funksionale të DPO-së, përfshirjen e tij në hartimin e politikave të sigurisë së informacionit dhe auditimeve të brendshme, si dhe garantimin e një roli aktiv në mbikëqyrjen e ligjshmërisë dhe transparencës në përpunimin e të dhënave personale.
Aktiviteti u fokusua gjithashtu në nevojën për hartimin dhe rishikimin e rregulloreve të brendshme, vendosjen e afateve konkrete për ruajtjen e të dhënave personale, marrjen e masave shtesë teknike dhe organizative për mbrojtjen e të dhënave, si dhe zhvillimin e trajnimeve të vazhdueshme për punonjësit e autoriteteve kompetente.
Zyra e Komisionerit ritheksoi angazhimin e saj për të mbështetur institucionet publike në zbatimin e legjislacionit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale, në funksion të garantimit të të drejtave themelore të qytetarëve dhe forcimit të shtetit të së drejtës.
