TIRANE

Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dorëzoi sot çelësat e banesës së re familjes Rrushi në Zall-Herr, banesë e dëmtuar nga tërmeti i 21 shtatorit. Veliaj tha se pa kaluar as 10 muaj nga tërmeti i shtatorit dhe pothuajse të gjitha familjet, shtëpitë e të cilave u dëmtuan nga tërmeti i shtatorit, kanë marrë zgjidhje. Ndër të tjera ai solli në vëmendje përmbytjet në Shkodër, ku familjet e prekura tha Veliaj nuk mundën të merrnin asnjë ndihmë nga qeveria e mëparshme.

“Kaluan 10 vite nga përmbytjet në Shkodër dhe banorët nuk i morën dot lekët nga qeveria e mëparshme. Ndërkohë, sot jemi dita me natën. Për më pak se 10 muaj mbyllëm të gjitha shtëpitë e shtatorit. Na dhëntë Zoti kohë të mirë, vullnet, zemër të madhe, që gjatë gjithë verës të punojmë non- stop. Kur qytetarët të ikin me pushime, të rikuperojmë edhe një pjesë të madhe të shtëpive të nëntorit dhe sa më shumë familje të futen në banesë para datës 26 nëntor. Më pas do fillojmë me pallatet, që sigurisht do marrin pak më shumë kohë”, tha ai.

Sakaq, kryebashkiaku u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që u ka dalë emri në listën me 3 mijë familje, që të paraqiten tek njësitë administrative apo në postë për të tërhequr çekun me para.

“Dua të ftoj qytetarët që u ka dalë emri në listë, të paraqiten tek njësitë administrative ose në postë për të tërhequr çekun. Besoj se do vijojmë me këtë ritëm nga 3000 e nga 3000, deri sa të kemi mbi 10 mijë familje që do marrin pagesën cash për apartamentet dhe shtëpitë e dëmtuara në Tiranë. Janë mbi 800 shtëpi, ku çdo javë, nga 200 e 200, do lidhim kontratat me kompanitë për rindërtimin e tyre”, tha Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb