KORCE-E kanë quajtur Paris të vogël, qytet të dashurisë, të serenatave, të artit, mësonjëtores apo birrës. Korça është qyteti që gjithmonë tërheq turistë për atë çka ofron. Bulevarde me njerëz që shëtisin, muzeume, traditë, art kulinar dhe vende simbol të historisë së saj, si Pazari i Korçës apo Parku Rinia. Por në këtë periudhë, Festa e Birrës është eventi më i madh veror jo vetëm për Korçën. Mbi 100 mijë persona e vizitojnë këtë festë në pesë ditët e organizimit të saj.

Festa e Birrës nisi në vitin 2007, nga Bashkia Korçë. Tashmë pas 10 vitesh ajo ka evoluar jo vetëm për famën e saj, por edhe për zgjerimin në nivel artistik.
“Festa e Birrës është një histori suksesi. Është pikërisht kombinimi i festës me atë çfarë ofron qyteti i Korçës që bën që të gjitha hotelet, jo vetëm në Korçë, por edhe në rrethina të jenë të zëna”, – shprehet Sotiraq Filo, kryetar i Bashkisë Korçë.
Qyteti dukshëm është në festë. Atmosfera e Festës së Birrës, edhe pa arritur kulmin në orët e natës, ndihet në pedonalen e qytetit, në bare, restorante, me muzikë, birra dhe miq. Por edhe me bukuri korçare.

Turma festive me natën u zhvendos në qendrën e Festës së Birrës pranë Parkut Rinia. Përveç produkteve tradicionale të qytetit, argëtimi, show dhe ritmi vazhdojnë deri në orët e para të mëngjesit.

Të ndezësh atmosferën këtu është fare e thjeshtë. Mjafton muzika e mirë, sidomos ajo tradicionale korçare, dhe pjesa tjetër u takon qytetarëve dhe të rinjve. Ata i dhanë ngjyrat natës së gjatë në Korçën e qeshur dhe plot jetë, që në çdo stinë të fton për të gjetur kënaqësi dhe mikpritje. Flori Mumajesi, Alban Skënderaj, Devis Xherahu, Klajdi Haruni dhe artistë të tjerë performuan në ditën finale të kësaj feste të madhe në qytetin historik të Korçës.
Festa e Birrës në Korçë është eventi më i madh festiv në Shqipëri. Mbi 100 mijë persona vizitojnë Festën e Birrës në 5 netët e organizimit të saj. Kryesisht numri i madh i vizitorëve në festë u atribuohet principeve kryesore të organizimit të festës: Hyrje falas, program muzikor i shkëlqyer me emrat më të njohur të muzikës shqiptare dhe jo vetëm, pjesëmarrje e një game birrash vendase dhe të huaja.

Festa e Birrës në Korçë u themelua në vitin 2007, si një iniciativë e Bashkisë Korçë. Festivali është nderuar me çmimin e Turizmit nga Ministria e Kulturës në vitin 2010, për shkak të influencës që pati në rritjen e numrit të turistëve në rajon.
Festa e Birrës në Korçë, jo vetëm është një segment i rëndësishëm për sa i përket tërheqjes së vizitorëve në rajon, por nga viti në vit ka promovuar dhe përforcuar imazhin turistik të rajonit.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: