TIRANE- Është zhvilluar sot në ambientet e Batalionit “Komando” në Zall-Herr, ceremonia e përfundimit të kursit të 10-të “Komando”. Në ceremoninë e rastit merrnin pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Zyber Dushku, atasheu ushtarak i Republikës së Turqisë në vendin tonë, kolonel Nizmetin Dogar.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, gjeneralmajor Bazo shprehu kënaqësinë e pjesëmarrjes në një moment të rëndësishëm në jetën e një efektivi “Komando”.

“Komandot janë një histori suksesi e Forcave tona të Armatosura. E kanë provuar këtë prej 20 vjetësh me profesionalizimin, përkushtimin dhe disiplinën e treguar në angazhimet dhe detyrat e kryera brenda vendit, po aq sa dhe në operacionet jashtë vendit; nga Bosnja në Irak, Çad dhe Afganistan”, theksoi gjeneralmajor Jeronim Bazo.

Gjeneralmajor Bazo ka vlerësuar gjithashtu mbështetjen e palës turke, falë së cilës është bërë e mundur zhvillimi i kurseve cilësore dhe me standarde të larta profesionale. Kursi i 10-të “Komando” është zhvilluar për një periudhë tremujore, i ndarë në dy faza stërvitjeje komplekse dhe selektive.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb