Ish- gardist më 21 janar të 2011, dhe sot kryebashkiak i Matit, Agron Malaj ka reaguar për ngjarjen kur ai vetë ka qenë pjesëmarrës si ish-komandant i Gardës, që drejtoi njësinë e ndërhyrjes dhe grupin e snajperëve, por jo autor në Bulevardin ”Dëshmorët e Kombit” përpara kryeministrisë ku u vranë katër persona.

Ai shprehet se sot me familjet e katër viktimave i bashkon dëshira për të zbardhur atë krim, dhe ai thotë se nuk do të rreshtë së kërkuari drejtësi për viktimat.

Ai sot është kryetar i Bashkisë së Matit, por PD e akuzon se është dënuar në 1999 nga Gjykata e Matit me 10 muaj burg për plagosje me dashje dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake. Malaj thotë se mbi të nuk rëndon asnjë akuzë dhe kush ka ende dyshime thotë ai, të shohë vendimin e KQZ bazuar në vendimin e Prokurorisë.

STATUSI I AGRON MALAJ

21 janari është një tragjedi me të cilën mua më është dashur të jetoj çdo ditë gjatë 9 viteve të fundit. Unë nuk humba në atë tragjedi asnjë pjesëtar të familjes time. Por ka megjithatë diçka që më bashkon mua, ish “gardistin e 21 Janarit” me familjet e 4 qytetarëve të pafajshëm që humbën jetën në atë ditë të tmerrshme. Na bashkon dëshira që ajo ngjarje të zbardhet e drejtësia të shkojë në vend.

Prej 9 vitesh tashmë emri im është lidhur me atë ngjarje tragjike. Emri i një njeriu, i një ish gardisti në krye të detyrës, që refuzoi të zbatojë urdhrin për të hapur zjarr mbi protestuesit e pafajshëm, është lidhur në mënyrën më perverse me vrasjen e Ziverit, Aleksit, Faikut dhe Hekuranit, jo nga familjet, jo nga organet e ligjit, por pikërisht nga ata që dhanë urdhër për të qëlluar e më pas shkelën çdo ligj e çdo normë, për të mos lejuar zbardhjen e të vërtetës.

Unë sot, vijoj punën time me kokën lart. Me ndërgjegjen e pastër. Mbi mua nuk rëndon asnjë akuzë. As për 21 janarin e as për asgjë tjetër. Kush ka ende dyshime për këtë mund të hapë vendimin e KQZ, bazuar në vendimin e Prokurorisë, ku çertifikohet pastërtia e figurës time dhe më njihet e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje. A mund ta thonë të njëjtën gjë ata që sot drejtojnë sulmin kundër meje? A nuk do duhej që të paktën sot, në 21 janar, së paku të mbyllnin gojën e të ulnin kokën nga turpi për jetët e pafajshme që kanë marrë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, nën urdhërat e ish kryeministrit dhe të atij që asokohe ishte Ministër i Brendshëm dhe që në çdo vend normal do ishin dënuar jo një, por disa herë, për krime që shkojnë nga vjedhja e korrupsioni e deri tek pastrimi i parave e financimi nga Rusia dhe vrasja?

Por mbi mua rëndon nevoja që kjo ngjarje të zbardhet e fajtorët të shkojnë atje ku meritojnë të shkojnë ata që duke shkelur ligjin kanë marrë jetë njerëzish. Prandaj, sot dua së pari, t’ju shpreh familjarëve ngushëllimet e mia. E së dyti, t’ju them atyre që as unë nuk do të rresht së kërkuari që ajo tragjedi e ai krim shtetëror të zbardhet duke nxjerrë përpara përgjegjësisë autorët e tij të vërtetë, sado lart qofshin ata në jetën politike të vendit.

  • foto galeri

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb