Sot, në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur”, të autores dhe moderatores Evis Ahmeti, rikthehet në vëmendje një prej ngjarjeve më të rënda që tronditi opinionin publik disa muaj më parë. Një vajzë e mitur u dhunua nga një grup bashkëmoshataresh dhe pamjet e ngjarjes, pasi u shpërndanë në rrjetet sociale, u bënë virale, duke shkaktuar reagim të fortë publik.

Por pas atyre pamjeve që panë të gjithë, ishte një vajzë që duhej të përballej e vetme me frikën, tronditjen dhe pasojat psikologjike të asaj që kishte përjetuar. Sot, disa muaj më pas, ajo flet sërish. Këtë herë me zërin e saj, duke treguar detaje të asaj dite dhe të momenteve që pasuan. Ajo rrëfen se gjithçka nisi pasi disa vajza i kërkuan të shkonte me to, duke i thënë se kishin një “muhabet për të sqaruar”. Ajo pranoi, pa e ditur se çfarë do të ndodhte.

“Më thanë që hajde se kemi një muhabet për të sqaruar”, tregon ajo. Por ajo që duhej të ishte një sqarim mes bashkëmoshataresh, sipas dëshmisë së saj, u kthye shumë shpejt në një situatë dhune. Shkak për përplasjen ishte një akuzë se ajo kishte puthur të dashurin e njërës prej tyre. Një akuzë që ajo e mohon kategorikisht.

Ajo tregon se njërën prej vajzave e kishte shoqe, ndërsa vendin ku u dërgua atë ditë nuk e njihte më parë. Sipas dëshmisë vajza tregon se gjithçka zgjati rreth gjysmë ore. Kur u la e lirë, ajo nuk i tregoi menjëherë familjes se çfarë kishte ndodhur. Shkoi në spital, pasi nuk ndihej mirë. Tregon se kishte shenja në fytyrë, në buzë dhe në kokë dhe se dhimbjet ishin aq të forta sa e kishte të vështirë të qëndronte e shtrirë.

Por, sipas dëshmisë së saj, në spital askush nuk e pyeti për shenjat që kishte në trup apo për mënyrën se si ishin shkaktuar. Por, sipas dëshmisë së saj, momenti i frikës nuk përfundoi me daljen nga spitali. Kur doli, ajo shkoi drejt vendit ku priste autobusin. Sipas saj, vajzat e pritën edhe aty. Këtë herë, grupi ishte më i madh.

Përveç vajzave që kishte parë më herët, ajo thotë se ishin edhe shoqe të tjera. E vetme dhe e tronditur, ajo tregon se u përpoq të largohej dhe përfundoi duke hyrë me vrap në një lokal.

“Më futën brenda në lokal me vrap”, rrëfen ajo për atë moment. Më pas, ngjarja u bë e ditur nga familja. Nëna e mori vesh përmes tezes dhe familja iu drejtua institucioneve. Pamjet e dhunës ndërkohë ishin duke qarkulluar në rrjetet sociale, duke e bërë historinë publike. Por vajza thotë se vetë nuk i ka parë ato pamje. Nuk ka telefon dhe, sipas saj, nuk ka ndjekur atë që është publikuar në rrjet.

Sot, disa muaj pas ngjarjes, ajo thotë se ndihet shumë më mirë. Është rikthyer në kurs dhe përpiqet të vazhdojë jetën e saj normale. Vazhdon edhe takimet me psikologen, e cila, sipas saj, e pyet për ditën, për kursin dhe për mënyrën se si po përballon jetën e përditshme.

Intervista e plotë:

Evis Ahmeti: Përshëndetje, si je?
Vajza e Dhunuar: Mirë.
Evis Ahmeti: Si kalove?
Vajza e Dhunuar: Shumë mirë.
Evis Ahmeti: Si ndihesh këto kohë?
Vajza e Dhunuar: Shumë mirë ndihem.
Evis Ahmeti: Shumë mirë. Si vijon dita jote?
Vajza e Dhunuar: Mirë, në kurs.
Evis Ahmeti: Mirë me kursin?
Vajza e Dhunuar: Po.
Evis Ahmeti: Po tek psikologia vazhdon të shkosh?
Vajza e Dhunuar: Po, vazhdoj.
Evis Ahmeti: Çfarë thotë psikologia?
Vajza e Dhunuar: Më pyet si ke kaluar tek kursi, çfarë bën gjatë ditës…
Evis Ahmeti: Ndërkohë, këto kohë besoj mami, babi, motrat kanë qëndruar afër, apo jo?
Vajza e Dhunuar: Po.
Evis Ahmeti: Më bëhet qejfi, më bëhet qejfi. Kur kemi qenë herën e fundit në emision që po flisja me tezën, pati një ndërhyrje në fakt nga ana jote. Doje të më thoje diçka në ato momente, por që unë nuk pranova, sepse ishe edhe gjendja jo e mirë, ishin ditët e para. Tani, mund të më tregosh me pak fjalë çfarë ka ndodhur atë ditë?
Vajza e Dhunuar: Ndodhi që, se më thanë hajde se kemi një…
Evis Ahmeti: Nuk të dëgjoj qartë, nuk e di pse. Ndoshta s’ke… po?
Vajza e Dhunuar: Më thanë që hajde se kemi një muhabet për të sqaruar.
Evis Ahmeti: Po?
Vajza e Dhunuar: Edhe unë vajta, se s’dija që do ndodhte kjo…
Evis Ahmeti: Sa goca të dolën para ty?
Vajza e Dhunuar: Vetëm njëra, …
Evis Ahmeti: Po?
Vajza e Dhunuar: Edhe këto më thanë që hajde se kemi për të thënë diçka, edhe unë vajta atje dhe filluan pastaj…
Evis Ahmeti: Ato që kemi parë të gjithë.
Vajza e Dhunuar: Po. Shumë faleminderit!
Evis Ahmeti: Po, por çfarë pretendonin ato nga ty? Ti këto vajza i njihe?
Vajza e Dhunuar: Se, se… … më thoshte mua që më ke puthur të dashurin.
Evis Ahmeti: Po?
Vajza e Dhunuar: Po.
Evis Ahmeti: Vetëm për këtë?
Vajza e Dhunuar: Po, vetëm për këtë.
Evis Ahmeti: Ndërkohë ti, të dashurin e saj e njihe?
Vajza e Dhunuar: Jo, s’e njoh fare. Nuk e di fare kë te dashur ka pasur ajo.
Evis Ahmeti: E kuptoj. Po me vajzën, çfarë njohje kishe ti?
Vajza e Dhunuar: E kisha shoqe, njëra e kisha shoqe….
Evis Ahmeti: Në atë shtëpi që të futën, ti kishe shkuar më parë, e njihe si shtëpi?
Vajza e Dhunuar: Jo.
Evis Ahmeti: Shtëpia e kujt ishte ajo?
Vajza e Dhunuar: Shtëpia e ….
Evis Ahmeti: E kuptoj. Nuk ishte asnjë nga prindërit apo…?
Vajza e Dhunuar: Jo, nuk ishte prindër, as vajzë nuk ishte, se ka dhe një vëlla.
Evis Ahmeti: Ka dhe një vëlla. E kuptoj. Ishte bosh shtëpia atë ditë?
Vajza e Dhunuar: Po. Vetëm këto të treja, edhe ishte dhe njëra me anë të telefonit, po s’e di kush ishte.
Evis Ahmeti: E kuptoj. Ti pastaj e pe veten ngushtë që pranove gjithçka, kërkove falje…
Vajza e Dhunuar: Po.
Evis Ahmeti: Doje të shpëtoje besoj nga…?
Vajza e Dhunuar: Po.
Evis Ahmeti: Sa zgjati e gjithë situata? Çfarë ore ka qenë?
Vajza e Dhunuar: Po ka qenë 12 e gjysmë që kur dola nga kursi deri në 1.
Evis Ahmeti: Deri në orën 1? Rreth një orë?
Vajza e Dhunuar: Po.
Evis Ahmeti: E kuptoj. Po kur të lanë të lirë pastaj, çfarë të thanë?
Vajza e Dhunuar: Që ik në shtëpi. Pastaj ja, isha në spital, bëra një serum, i thashë doktorëve që s’jam mirë… dhe pastaj nuk e di, më dolën prapë para kur dola nga spitali, më afruan me plan, ajo ….
Evis Ahmeti: E kuptoj. Domethënë ti vajte në spital, ato besoj do të kenë gjuajtur nga mbrapa që e kanë ditur.
Vajza e Dhunuar: Eh, mbase, besoj. Se unë atë ditë isha vetëm, prandaj. Edhe kur dola nga spitali isha vetëm. Dhe kur i pashë që erdhën ato me pesë goca…
Evis Ahmeti: E kuptoj. Sa qëndrove në spital?
Vajza e Dhunuar: Qëndrova gati gjysmë ore atje, sa më bënë një serum dhe më dhanë ik.
Evis Ahmeti: Po nuk të pyetën ato se ti kishe shenja, apo jo? Ku i kishe shenjat ti?
Vajza e Dhunuar: Po, kisha shenja tek sytë, tek buzët edhe këtej tek koka, që më dëmtonin koka që nuk e mbaja dot shtrirë.
Evis Ahmeti: E kuptoj. Dhe askush nuk të pyeti për shembull që…?
Vajza e Dhunuar: Jo, nuk më pyeti për shenjat askush.
Evis Ahmeti: Askush. U ndjeve mirë mbas serumit?
Vajza e Dhunuar: Po, u ndjeva mirë. Pastaj i kam marrë babit në telefon, që më tha babi “Çfarë ke?”, i thashë që “Jam sëmurë”, nuk i tregova as babit për ngjarjen…
Evis Ahmeti: E kuptoj.
Vajza e Dhunuar: Edhe kështu.
Evis Ahmeti: E qartë. Po kur dole nga spitali, ato ishin tek dera e spitalit apo…?
Vajza e Dhunuar: Jo, nuk ishin te dera e spitalit, ishin ku prisja unë autobusin.
Evis Ahmeti: E kuptoj. E qartë. Është larg stacioni i autobusit nga spitali?
Vajza e Dhunuar: Është 5 minuta, 10 minuta.
Evis Ahmeti: E kuptoj. Të gjitha vajzat ishin? Ato që ishin edhe në shtëpi?
Vajza e Dhunuar: Ishin ato të treja dhe ishin… kishin marrë edhe shoqe të tjera.
Evis Ahmeti: Ishte një grup më i madh.
Vajza e Dhunuar: Po.
Evis Ahmeti: Edhe aty të dhunuan? Kishte qytetarë në Fier që të panë?
Vajza e Dhunuar: Ishte një te lokali, që më futën brenda në lokal me vrap…
Evis Ahmeti: Po.
Vajza e Dhunuar: Edhe pastaj ikën. Erdhi brenda në lokal erdhi ajo … më tha që…
Evis Ahmeti: E qartë. Kur vajte në shtëpi pastaj, i tregove edhe mamit edhe vajtët në polici besoj.
Vajza e Dhunuar: Mami e mori vesh nga tezja.
Evis Ahmeti: E kuptoj. Siç e ka thënë dhe në emision tezja.
Vajza e Dhunuar: Po.
Evis Ahmeti: Po kur i pe pastaj videot në rrjetet sociale, çfarë mendove?
Vajza e Dhunuar: S’kam parë gjë video, se unë s’kam telefon që të shkoj.
Evis Ahmeti: E kuptoj, e kuptoj, po gjatë kohës që je rikthyer në normalitet tani mbas kësaj ngjarjeje ke parë ndonjë nga ato vajzat?
Vajza e Dhunuar: Jo, asnjë.
Evis Ahmeti: Asnjë nuk të ka shqetësuar askush?
Vajza e Dhunuar: Jo. Po s’e di unë, njëra është në burg, tjetra është te kjo e treta, ndërsa tjetra është me arrest shtëpie besoj.
Evis Ahmeti: Po. Jo, se ato janë një grup më i madh, prandaj thashë. Përveç këtyre të trejave.
Vajza e Dhunuar: Jo.
Evis Ahmeti: Nuk të ka shqetësuar askush më.
Vajza e Dhunuar: Jo.
Evis Ahmeti: E kuptoj. E kuptoj. Mirë, më bëhet qejfi që je shumë, shumë mirë. Besoj ke ngrohtësinë e familjes edhe të gjithë komunitetit. Aty te kursi çdo gjë mirë, ë?
Vajza e Dhunuar: Po, shumë mirë.
Evis Ahmeti: Më bëhet qejfi. Besoj se edhe psikologja është e kënaqur me ecurinë tënde.
Vajza e Dhunuar: Po.
Evis Ahmeti: Të falënderoj. Po ke ndonjë mesazh për bashkëmoshataret e tua? Çfarë do t’i thoje? Të rinjve që të shikojnë edhe që ndonjë ditë mund të jenë në pozicionin tënd… ose dikush për shembull që mund të bëjë si ato vajzat që të dhunuan ty? Çfarë mund t’u thoje ti për shembull?
Vajza e Dhunuar: S’e di, nuk i uroj askujt.
Evis Ahmeti: E qartë. E qartë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb