Një prej pjesëmarrësve në protestën e zhvilluar në Tiranë u prezantua si ish-student i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, duke kujtuar se, sipas tij, shumë prej idealeve të asaj kohe nuk u realizuan.

“Jam student i ’90-s. Na larguan nga vendi strukturat e Sigurimit të asaj kohe. Ëndrra e studentëve të asaj kohe nuk u bë realitet,” tha ai.

Ai deklaroi se kishte marrë titullin simbolik “Pishtar i Demokracisë”, por se kishte vendosur ta “hidhte në kosh”.

“Më kanë dekoruar ‘Pishtar i Demokracisë’, por unë e kam hedhur në kosh, sepse nuk pranoj të dekorohem nga këlyshët e komunizmit,” u shpreh protestuesi.

Në vijim të fjalës së tij, ai tha se ishte rikthyer në Shqipëri pas një periudhe suksesi në Evropë për të investuar, por pretendoi se kishte pësuar humbje të mëdha financiare për shkak të sistemit në vend.

“Jam qytetar si ju. Pavarësisht se kisha sukses në Evropë, u ktheva në Shqipëri dhe humba miliona euro në rrjetin e merimangës së sistemit neobolshevik, që u merr paratë investitorëve dhe i largon nga Shqipëria,” deklaroi ai.

Protestuesi komentoi edhe protestën e një dite më parë, duke pretenduar se pjesëmarrësit kishin përballuar forcat e shumta të policisë.

“Dje isha pjesë e protestës. Dyqind trima i bënë të dridhen 1.200 policë. Ne nuk jemi kundër investimeve. Jemi populli më proamerikan në Evropë. E duam demokracinë pa këlyshë komunizmi,” tha ai.

Në fund, ai u bëri thirrje shqiptarëve të diasporës që t’i bashkohen protestës.

“Shqipëria është në rrezik. Ejani, bashkohuni me të rinjtë që ta çojmë Shqipërinë në Evropë, atë që nuk arritëm ta bënim në vitin ’90. Ose ne, ose ata! Evropa nuk i do hajdutët,” përfundoi protestuesi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb