TIRANË

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur për situatën në vend gjatë takimit të sotëm me strukturat e gruas së kësaj force politike.

Ai tha se nëse nuk do të vidhej do të kishte mundësi për rritje pagash, pensionesh, politika sociale për qytetarët. Duke u ndalur te situata me plehrat në Shijak, Meta tha se po helmohen njerëzit e tokat dhe se kjo është një qeverisje tipike mafioze.

“Pse mos të bëjmë atë që bëjnë në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi. Pse të mos bëjmë ne dhe aq sa bëhet në Serbi, apo në Bosnjë Hercegovinë. nëse do t’i shikoni statistikat, nuk ka statistika më të errëta. Një vend ku në mënyrë të qëllimshme nuk janë rritur pagat dhe pensionet, për arsye se nëse do të rriteshin do të ishte e vështirë të vidhej në këtë përmasa, jo vetëm për aferën e inceneratorëve, ku merren firmat e njerëzve që nuk jetojnë më në këtë botë, falsifikohen dhe qarkullojnë miliona euro, siç i keni parë ju, por edhe me veprat publike tejmase të fryra, për arsye të korrupsionit dhe me çdo gjë tjetër.
Sot vajta në Shijak, kisha marrë shpesh mesazhe nga Shijaku, më çonin shpesh kodra me plehra fotografi, ndonjëherë dhe rezervohesh se mendon është e vërtetë, nuk është e vërtetë, jo duhet verifikuar dhe duhet parë dhe sot kur më çonin videon me atë tymin e tmerrshëm që kishte qenë që nga ora 10 e natës dje, në mënyrë të qëllimshme për tërë natën e deri sot thashë duhet të shkoj vetë që ta shikoj si është situata reale”, tha Meta.

Ai e cilësoi një situatë dramatike dhe e qëllimshme.
“Qytetarët paguajnë taksa për pastrimin dhe ato janë rritur, bashkia jep tenderin dhe çfarë ndodh, të gjitha depozitohen tonelata në mes të komunitetit, pranë shtëpive, midis fshatrave të asaj zone të mrekullueshme që duhet të jetë model për agroturizmin në nivel kombëtar dhe rajonal dhe digjen për gjithë natën në pabesi, në errësirë, që të mos i shohin makinat kur kalojnë nga autostrada apo nga rruga e Ndroqit, që njerëzit mundësisht të jenë në gjumë, që mediat të mos i nxjerrin dhe kështu me radhë. A është normale të helmohen qëllimisht banorët dhe kjo nuk ndodh vetëm në Shijak dhe në zonat përreth Shijakut, kjo ndodh në shumë bashki të tjera. Populli paguan, jo vetëm që plehrat t’i ketë te dera e shtëpisë, por edhe të helmohen banorët, fëmijët, tokat e tyre. Kjo është shumë e rëndë. Kjo është tipike një qeverisje mafioze. Sa marrin vesh që do shkoj unë atje, pasi bëj postimin, bëjnë sikur çojnë nja dy zjarrfikëse dhe pastaj nxjerrin njoftimin sikur një qytetar u ndalua sepse dogji gomat e makinës. Po ka qytetarë në gjithë bashkinë e Shijakut dhe kudo që kanë parë atë tmerr për tërë natën dhe që nuk është hera e parë që ndodh e sot paradite që besojnë gjëra të tilla. Ata kur shohin gjëra të tilla nga policia, vetëm se binden se është një shtet i kapur”, tha kreu i Partisë së Lirisë.

Ai theksoi më tej se “nuk është thjesht një kryetar bashkie i papërgjegjshëm, nuk është thjesht një firmë që do të fitojë 100% dhe nuk investon asgjë për të bërë punën e saj, por kanë edhe një mburojë lart për të gjitha veprimet e tyre të paligjshme dhe të papërgjegjshme”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: