Pamjet që shihni datojnë rreth një muaj më parë, më konkretisht më 9 maj, ku në Koplik, tre të rinj grabitën një filial banke.

Në pamjet e siguruara për “BalkanWeb” nga gazetari Senad Nikshiqi shihen Bekim Gurraj, Armir dhe Admir Shabaj zbresin me shpejtësi nga makina tip “Golf” dhe nën kërcënimin e armës kapin me forcë punonjësin e sigurisë. Ata mësyjnë më pas në ambientet e brendshme të bankës, ku nisin të kërcënojnë punonjësit dhe klientët që ndodheshin aty.

Në një pamje, nga një tjetër kënd, shihen se si punonjësit dhe klientët shtrihen në dysheme, me duar mbështetur pas trupit. Ata janë mjaft të frikësuar, ndërsa me shpejtësi, grabitësit marrin paratë.

E gjithë ngjarja ka ndodhur për 1 minutë e 40 sekonda dhe sapo marrin atë që kishin si objektiv, tre të rinjtë largohen me shpejtësi në drejtim të paditur.

Njoftimi i Policisë:

‘Nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar me prova ligjore se autorët e sipërpërmendur, për kryerjen e aktivitetit kriminal, kanë përdorur 2 armë zjarri dhe një automjet tip “Golf 3”, pa targa, të cilin pas realizimit të grabitjes, e kanë braktisur dhe e kanë djegur tek vendi i quajtur “Rrethrrotullimi i Bajzës”, Koplik.’

Më pas po nën kërcënimin e armës grabitën një tjetër automjet me të cilin u larguan në drejtim të Sheganit dhe ku më pas e braktisën atë.
Po në këtë zonë, policia e Shkodrës gjeti dhe sekuestroi njërin prej kallashnikovëve të përdorura në grabitje. Ndërsa në banesën e njërit prej autorëve, Bekim Gurraj u gjetën dhe sekuestruan pajisje dhe veshje të policisë mes tyre dhe radio marrës të cilat ky person i kishte përdorur ditën e ngjarjes për të këqyrur lëvizjet në bankë para grabitjes.

Në kuadër të këtij operacioni blutë e Shkodrës gjatë kontrollit tek banesa e një të afërmi të autorëve, Albin Shabaj policia gjeti dhe sekuestroi 9 kg kanabis ndërsa në pranga përfunduan 3 persona. Konkretisht vëllezërit Albin Shabaj dhe Altin Shabaj, si dhe babai i tyre, Ermir Shabaj.
Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e Ramiz Nikdudajt policia gjeti 22 kg kanabis, 455 bimë narkotike të kultivuara në ambientin me llamba, si dhe 245 bimë të tjera narkotike të kultivuara në oborrin përreth banesës së këtij shtetasi. Dhe ky i fundit përfundoi në prangat e policisë duke e çuar në 9 numrin e të arrestuarve në kuadër të operacionit të koduar ‘Syri i Sheganit’.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb