TIRANË

Një 26-vjeçar është arrestuar nga policia pasi qarkullonte me automjet pa leje drejtimi dhe mbante në makinë maskë e shkop metalik si të Policisë.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” (Seksioni i Shigjetave), në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, në vijim të kontrolleve me përzgjedhje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me automjet pa leje drejtimi dhe që mbante sende të kundraligjshme në automjet, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen e tij dhe në rrugën “Njazi Meka”, kanë konstatuar dhe ndaluar automjetin e dyshuar.

Gjatë kontrollit rezultoi se drejtuesi i automjetit shtetasi A. H., 26 vjeç, banues në Babrru, drejtonte automjetin pa leje drejtimi, pasi ajo i ishte hequr përfundimisht dhe drejtuesi i automjetit duhet të rifutej në kurs, për t’u ripajisur me leje drejtimi.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një maskë të zezë dhe një shkop metalik si ato të Policisë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., dhe materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve te ftohta”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb