GREQI

Nga Ira Londo

Në Athinë sot kryeministri shqiptar Edi Rama, ku do të zhvillojë për pak takim me ministrin e Jashtëm Nikos Dendias, ndërsa në vijim është i ftuar i kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Pallatin e Kryeministrisë “Megaro Maksimu” ku do të kenë dhe një drekë pune, me të pranishëm edhe ministrin Dendias. Vizita jo-zyrtare realizohet me inisiativën e kryeministrit shqiptar Edi Rama, ndërsa në axhendën e diskutimeve janë të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve, me rëndësi të veçantë hartimi i dosjes për marrëveshjen e detit, që do të gjykohet në Hagë.

Media greke i ka kushtuar një rëndësi të veçantë takimit të ditës së sotme, me analiza të shumta, sidomos për faktin se vjen menjëherë pas vizitës dhe pritjes pompoze në Ankara.

Gazeta e madhe “Efimerida ton Sintakton” ka gjithashtu një dedikim të veçantë për vizitën. Gazetari Babis Agrolambros shkruan “Ndalesë e Ramës në Athinë.  Inisiativa e Edi Ramës jep përshtypjen se merr rolin e ndërmjetësit të Athinës me Ankaranë, një rol që vështirë se ja del mbanë”, si dhe vijon

“Sapo u kthye nga Ankaraja, pas një vizite dyditore dhe Edi Rama viziton Athinën, ku do të zhvillojë takime jo-zyrtare me ministrin e Jashtëm dhe Kryeministrin grek. Pas vizitës në Turqi, Edi Rama deklaroi se një kapitull i ri çelet në marrëdhëniet shqiptaro-turke e në vijim mori inisiativën për një vizitë në Athinë. Ftesa e Ramës në Ankara koinçidoi me marrëveshjen detare Shqipëri-Greqi në Gjykatën e Hagës dhe deklaratat e Ramës për shtyrjen nga 6 në 12 milje të detit Jon në Greqi, fakt që shkaktoi pakënaqësi të madhe në qeverinë turke. Por Edi Rama kujdeset të ruajë balancat edhe me Turqinë, përmes deklaratave ku thekson rëndësinë e vendit në rajonin e gjerë.

Rrjedhshmëria e ngjarjeve të krijon përshtypjen se Edi Rama ka marrë rolin e ndërmjetësit, një rol për të cilin ishte i gatshëm dhe më parë, në të kaluarën, por presioni i brendshëm politik si dhe i Turqisë për qasjen e çështjeve me Greqinë e bëjnë shumë të vështirë realizimin e të tilla inisiativave.

Me sulmet politike të brendshme, në prag të zgjedhjeve të 25 prillit dhe me qëndrimin e Turqisë, vështirë se mund të jetë ndërmjetës.  Në çdo rast, mesazhi i Erdogan që mundet të sjellë Edi Rama pritet me interes, pasi vetëm një muaj pas samitit të fundit të BE-së dhe 3 muaj pas samitit të Tetorit, ecuria e kontakteve eksploruese është akoma në pritje” përfundon “Efimerida ton Sintakton”.

“Hellas Journal” gazetë elektronike diplomatike thekson se “kryeministri i çuditshëm shqiptar Edi Rama vjen sot në Athinë, menjëherë pas vizitës në Turqi. Ndërkohë që kishte telefonatë me ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias një javë më parë e pak para takimit madhështor në Turqi. Paralelisht zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Aleksandros Papaioanu bëri të ditur botimin e dekretit për shtyrjen me 12 milje në detin Jon në Fletoren Zyrtare si dhe se brenda pak ditësh në parlament do të dorëzohet për miratim projektligji përkatës që ratifikon dhe dekretin përkatës. Projektligji për shtyrjen me 12 milje në detin Jon, siç është përcaktuar në dekret, do të jetë ndër të parët të vitit 2021 për parlamentin grek.

“Kathimerini” gjithashtu referohet në marrëveshjen detare Shqipëri-Greqi që pritet të diskutohet sot në takimet private me kreun e qeverisë greke dhe kreun e diplomacisë, duke theksuar se primare është edhe çështja e integrimit të Shqipërisë në familjen europiane.

Mbarë media greke referohet në vizitën rrufe të ditës së sotme, duke ndjekur me vëmendje të veçantë burimet diplomatike për më shumë informacion rreth bisedave të brendshme, që do të zhvillohen për pak minuta deri në pasditen e sotme, në Athinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb