Mes Romës dhe Lazio-s, në derbin e 118 të kryeqytetit, fitoi frika. Në një sfidë me presion, me shumë grintë dhe pak raste për shënim, dy ekipet nuk i bëjnë keq njeri-tjetrit duke ndarë nga një pikë pas barazimit pa gola. Në pjesën e parë, VAR ndali festën e Romës me Krasdorp që ishte në pozicion jashtë loje, ndërsa Lazio iu përgjigj me një predhë të Luis Alberto-s që u përplas në shtyllë.

Protagonist ishte dhe portieri Rui Patricio që ndali mrekullisht goditjen me kokë të Romagnoli-t. Në fraksionin e dytë, dy ekipet u përpoqën të zgjidhin ndeshjen me goditje nga distanca, pa raste të pastra për shënim. Për të përshkruar më qartë këtë post derbi, mjafton të dëgjojmë Jose Mourinho-n: “Një pikë është pozitive, është më mirë se sa të humbasësh”, theksoi tekniku portugez.

Në një “X” u ndal edhe Atalanta në këtë javë të Serie A. Për fat të keq, Berat Gjimshiti ishte protagonist në golin që shënoi Udinese, ku një devijim i tij përfundoi në rrjetë. Bergamaskët shmangën humbjen vetëm në minutën e 92-të. Me 20 pikë në 12 javë, Atalanta renditet në vendin e 5-të, po aq pikë sa Fiorentina, me ekipin vjollcë që doli me tre pikë nga kjo javë pas fitores 2-1 përballë Bologna-s.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb