“Buxheti i prezantuar ka taksat më të larta dhe nuk tregon se cili sektor është prioritet”, kështu u shpreh deputetja e PD, Jorida Tabaku në një intervistë në studion e “News24”, teksa analizoi buxhetin 2027.
“Buxheti që ka prezantuar qeveria, vlera e buxhetit vjen si pasojë e rritjes së taksave. Nga këto 13 vite të gjitha faturat e tenderëve apo koncensioneve 50 % e saj është në hetim. Është një buxhet që nuk tregon se ku janë stimujt e ekonomisë. Kemi Bujqësinë që ka 6 vite me një rënie ekonomike. Kemi fondet e IPARD që i mungojnë bujqësisë. E njëjta gjë edhe me faktorin fason, me faktorin prodhues. Sot të gjitha dhomat e tregtisë, shoqatat kanë reaguar duke thënë se është paketë antibiznes. Të gjitha këto nxisin pasigurinë e biznesit, mbylljen , largime masive. Masa më e rrezikshme është goditja që i bëhet shtresës së mesme”, tha Tabaku.
Gjithashtu gjatë intervistës, nënvizoi se Dhomat e Tregtisë dhe shoqatat e kanë cilësuar “paketë anti-biznes”.
Ajo theksoi se është e rëndësishme që të nxitet konkurrenca. Taksat e larta po godasin shtresën e mesme. Ndërsa për politikën e pagave, Tabaku tha se qeveria është pa asnjë strategji.
“Është një dramë e madhe që puna nuk vlerësohet që puna mbitaksohet. Këtu vlerësohet vjedhja. Me Edi Ramën nuk ka garanci…Thesin e rrenave e ka për njerëzit, thesin e miliardave e ka për ata afër vetes. Sot ekonomia shqiptare ka nevojë për të tjetër strategji komplet tjetër. Duhet të investohet në arsim, ta lidhë me kërkesat që ka tregu i punës, dhe së dyti sektori prodhues. Ne jemi duke diskutuar të bëjmë një propozim, biznesi duhet të ketë siguri, taksa që nuk ndryshojnë , ka një pasiguri të madhe juridike. Duhet të vendosen rregulla të sakta me kod fiskal dhe politikë pro biznes. Protesta na tregoi edhe një anë tjetër, njerëzore. 1 mijë të rinj të shoqëruar dhe arrestuar. Ekonomia, mllefi pasiguria ekonomike, janë arsye që nxjerrin në protestë. Unë mendoj që nuk ka alternativë tjetër që të bashkohen rreth opozitës. Nuk ka zgjidhje tjetër që të jemi bashkë. Mendoj që PD duhet edhe të reflektojë edhe të hapet, ndaj shoqërisë , ndaj studentëvë dhe që ky mllef që ekziston të shkojë te kutia votimit. Protesta është edhe një mënyrë që gjërat t’i shohim më ftohtë. Ofertën opozitare ta bëjmë më përfaqësuese. Protesta tregoi që qeverisë iu dridhën këmbët. Dhe unë pashë momentin më të vështirë. Qeveria ka mbaruar ciklin e saj”, tha ajo.
