Monitorime të shtuara me makinën inteligjente në rrugët interurbane në Tirans,

Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore po kryen monitorime intensive me makinën inteligjente, duke e vendosur me afate të shkurtra kohore në shumë pika në rrugët interurbane që lidhen me Tiranën.

Njëkohësisht, gjatë mbrëmjes, Policia Rrugore ka shtuar monitorimet në të gjitha akset rrugore nacionale dhe rrugët urbane në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Gjatë orëve të mbrëmjes së sotme, në rrugën interurbane Tiranë-Durrës-Tiranë, makina inteligjente ka konstatuar 219 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi nga 120 deri në 148 km/h në kulmin e trafikut të automjeteve, shpejtësi që ishin rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Gjatë verifikimit nga operatorët e qarkullimit rrugor rezultoi se 21 drejtues ishin me shpejtësi mbi 30 km/h më shumë se tabela e lejuar, të cilëve iu është pezulluar leja e drejtimit; 88 drejtues mjetesh, krahas shpejtësisë jo më shumë 30 km/h mbi normën e lejuar, kishin përdorur edhe celularin gjatë drejtimit të automjetit; 56 drejtues mjetesh ishin pa vendosur rripin e sigurimit, krahas shpejtësisë, ndërsa 34 të tjerë kishin kryer tri shkelje, shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit dhe nuk kishin vendosur rripin e sigurimit.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, motomjeteve, biçiklistët dhe këmbësorët që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.

Drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të tregojnë kujdes maksimal, pasi të gjitha rrugët nacionale dhe urbane në të gjithë vendin po monitorohen me patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore, duke përdorur radarë, dragera, dronë, makina të paloguara, kamera e aparate fotografike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb