Nuk është Flavio Briatore ai që priret drejt ekzagjerimit, por bota e Formula 1 që shumëkujt i duket se është bërë tepër e ngjeshur. Vetëm pak ditë më parë, sipërmarrësi hodhi një ide të fortë në tavolinë: “Dua 24 gara Sprint.”
Tepria pëlqehet. Dhe garat Sprint i pëlqejnë Formula 1. Aq sa nga viti 2027 ato mund të shtohen. Po, përsëri. Ideja është që numri i tyre të rritet nga 6 aktualisht në 9 ose edhe 10 gara të shkurtra gjatë sezonit. Një zgjedhje që ka një logjikë të qartë: më shumë aksion, më shumë adrenalinë, më shumë të papritura. Në epokën e bollëkut, çdo garë bën diferencën. Sipas Briatores, spektatorëve duhet t’u ofrohet diçka më shumë: “Ka ende fundjava kur nuk bëjmë asgjë për spektatorët, sepse mëngjesi i së premtes i kushtohet vetëm provave teknike.” Kjo do të sillte më pak kohë boshe dhe një të shtunë që do të bëhej shumë më e rëndësishme për publikun, televizionet dhe sponsorët.
Pikët – Në fund të fundit, shifrat duket se i japin të drejtë “Liberty Media”-s. Fundjavat me garë Sprint tërheqin më shumë vëmendje dhe garantojnë diçka për t’u parë që të premten, me vetëm një seancë provash të lira përpara kualifi kimeve. Formati pëlqehet veçanërisht sepse redukton kohën në dispozicion të skuadrave për të përgatitur makinën dhe rrit mundësinë për gabime, surpriza dhe renditje starti shumë më pak të parashikueshme. Por rritja e numrit të garave Sprint do të ndryshonte edhe peshën e tyre në luftën për titullin. Me 6 gara të shkurtra, piloti që i fi ton të gjitha mund të grumbullojë 48 pikë. Me 10 gara, kjo shifër do të shkonte në 80 pikë. Nuk është ndonjë shifër marramendëse, dakord. Por gjithsesi është një sasi e konsiderueshme, që do të bëhej një pjesë e rëndësishme e pikëve të kampionatit. Dikush mund të mos jetë dakord. Jo çdo risi ka domosdoshmërisht të njëjtën peshë. Por, siç tha pak ditë më parë Stefano Domenikali, drejtuesi i Formula 1: “Në fi llim njerëzit ishin gjithmonë skeptikë për atë që po bënim dhe besoj se e kishim për detyrë të ishim të guximshëm dhe të mendonim jashtë kornizave.”
MotoGP – Shembulli i MotoGP-së ndihmon për të kuptuar se çfarë mund të ndodhë. Në kampionatin botëror të motociklizmit, garat Sprint zhvillohen në çdo fundjavë që prej vitit 2023 dhe kanë funksionuar shumë mirë si për spektaklin, ashtu edhe për audiencën televizive. Por ato e kanë bërë edhe të shtunën vendimtare në luftën për titullin. Rasti më i qartë është ai i vitit 2024. Françesko Banjaja fi toi 11 gara të dielave, por humbi titullin ndaj Horhe Martinit me vetëm 10 pikë diferencë. Një nga arsyet ishte pikërisht paraqitja në garat Sprint, ku Banjaja bëri më shumë gabime dhe la pas disa pikë të rëndësishme.
Pika qendrore – Vështirë të thuhet, pasi është e qartë se numri i garave Sprint do të ishte më i ulët se në motociklizëm. Por më shumë Sprint do të thotë edhe më shumë mundësi për të rikuperuar pikë dhe, nga ana tjetër, më shumë mundësi për të gabuar. Një fundjavë mund të mos ta ndryshojë renditjen në kampionat, por mund të ndryshojë një karrierë. Dhe jo gjithmonë për mirë. Në MotoGP, rreziku është sigurisht më i madh edhe për shkak të aspektit fi zik, por parimi vlen edhe për Formula 1.
Koha e lirë – Nëse argëtimi dhe përdorimi i kohës së lirë janë koncepte të krijuara në fi llim të shekullit XX, sot nevoja për të mbushur çdo hapësirë dhe moment të jetës është bërë edhe më e madhe. Madje, është kthyer në një konkurrencë brenda konkurrencës. Siç ka thënë sërish Domenikali: “Gjëja më e rëndësishme është të kujtojmë se ne nuk konkurrojmë me sportet e tjera. Ne konkurrojmë me gjithçka që një person mund të zgjedhë të bëjë në kohën e lirë: të shkojë në teatër, në kinema, në një koncert apo të përjetojë çfarëdo eksperience tjetër.” Më shumë Sprint si e reja e kohës së lirë? Të mos ekzagjerojmë. Por sigurisht që gara të tilla ndihmojnë për t’i mbajtur spektatorët të lidhur me eventin dhe me atë që po ndodh. Ka gjithashtu edhe çështje thjesht teknike. Një aksident në garën e shkurtër, për shembull, mund ta detyrojë një skuadër të rindërtojë makinën vetëm pak orë përpara kualifi kimeve ose të komprometojë garën e së dielës. Dhe në një botë ku kostot shkojnë në miliona dollarë, edhe kjo duhet marrë në konsideratë.
Zgjedhjet – Ekziston edhe çështja e provave të lira. Në fundjavat Sprint, puna e inxhinierëve ngjeshet dhe skuadrat kanë më pak kohë për të gjetur konfi gurimin ideal të makinës. Është një zgjedhje që favorizon të paparashikueshmen dhe, rrjedhimisht, spektaklin, por që, në mënyrë paradoksale, redukton edhe mundësinë për të shfrytëzuar deri në kufi potencialin teknik të makinës. MotoGP tregon se publiku reagon pozitivisht. Që nga prezantimi i garave Sprint, e shtuna ka fi tuar më shumë interes dhe formati është bërë pjesë e qëndrueshme e kampionatit. Pikërisht ky është ndoshta modeli që Formula 1 po e vëzhgon me vëmendje. Çështja e vërtetë është se sa gara Sprint mund të shtohen. Nëse një Sprint herë pas here thyen rutinën, shumë të tilla rrezikojnë të ndryshojnë vetë natyrën e kampionatit. Por, siç thotë Domenikali, duhet të jemi të guximshëm dhe të mendojmë jashtë kornizave. Si ishte ajo shprehja? “Stay hungry, stay foolish.”
