Analisti Agim Baçi ka komentuar sot vendimin që pritet të shpallet nga Gjykata Speciale në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një intervistë për News24, Baçi u shpreh se shpreson që ish-drejtuesit e UÇK-së të shpallen të pafajshëm dhe të rikthehen në Kosovë.

“Shpresoj shumë që të akuzuarit që janë në Hagë të kthehen të pafajshëm në Kosovë. Shqiptarët nuk meritojnë një sprovë tjetër që t’i kenë të dënuar ata në Hagë. Ata mbrojtën tokat e tyre, familjet e tyre”, u shpreh ai. Baçi tha se Kosova e meriton lirinë dhe se duhet të merret parasysh sakrifica e atyre që humbën jetën gjatë luftës.

“Pak ditë më parë fqinjët tanë nderuan kasapin e Ballkanit. Nëse ndodh e pamenduara, çdo institucion shqiptar duhet të ulet dhe të kuptojë se çfarë nuk ka ditur t’i tregojë botës, të shohë se çfarë është bërë gabim”, deklaroi analisti.

Sipas tij, në rast të një vendimi dënues, institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të reflektojnë mbi mënyrën se si është trajtuar çështja në arenën ndërkombëtare. “Qeveria e Kosovës apo dhe ajo e Shqipërisë duhet të reflektojnë që, nëse dënohen, të kuptojnë se nuk e kanë bërë mirë mbrojtjen ndërkombëtare dhe se bota nuk e ka mësuar 100% atë që ka ndodhur”, tha Baçi.

Në përfundim, ai theksoi se pavarësisht rezultatit të procesit në Hagë, çështja nuk duhet të konsiderohet e mbyllur. “Lirimi i tyre nuk duhet të jetë fundi i asaj që ndodhi”, përfundoi Baçi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: