PS, Blushi jashtë kryesisë, Rama propozon Ruçin për Sekretar, Kokëdhimës i ofron një post. Tërhiqen Dade e Dokle
* Rama e propozon në Kryesinë e PS, Dade tërhiqet: Parimet e mia bien ndesh me ato çka ka bërë PS 3 vitet e fundit 
* Namik Dokle tërhiqet nga kandidimi për kryesinë e PS
* Rama: Zgjedhjet do intensifikojnë procesin e anëtarësimeve
* Rama: Vendi i 2-të në rajon për investimet e huaja

TIRANË- Partia Socialiste ka zhvilluar sot mbledhjen e parë të Asamblesë së re Kombëtare, pas zgjedhjes së anëtarëve të saj në Kongresin e 19 marsit. Kjo mbledhje kishte në rend dite konstituimin e Asamblesë së Re dhe zgjedhjen e organeve më të larta të kësaj partie. Asambleja Kombëtare ka 286 anëtarë dhe në votimin e sotëm morën pjesë 271 prej tyre. Në një votim tërësisht demokratik dhe transparent, anëtarët e Asamblesë zgjodhën 20 anëtarët e Kryesisë së re, si dhe votuan kandidaturat e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Sekretariatit Ekzekutiv të Partisë Socialiste.

Pas përfundimit të këtij procesi në një reagim në rrjetet sociale Kryetari, Edi Rama, e cilësoi si një tjetër tregues i demokracisë në Partinë Socialiste. “Një tjetër ditë e shënuar demokracie në PS, zgjedhjet e Asamblesë së re Kombëtare për Sekretarin e Përgjithshëm, Kryesinë e re si edhe Sekretariatin Ekzekutiv të Partisë Socialiste.

Moment mbresëlënës tërheqja e Namik Dokles nga gara për kryesinë, me fjalët, ‘Jam prej njëzetepesë vjetësh anëtar i kryesisë së PS, është momenti që t’i hap rrugën një më të riu, të një gjenerate më të re!’. Duartrokitje shumë të ngrohta dhe emocion i veçantë në sallë”- u shpreh Rama.

Procesi i votimit nisi rreth mesdites dhe perfundoi ne oren 13:40 minuta. Ka përfunduar numerimi i votave për anëtare Kryesie, dhe janë zgjedhur 20 emrat. Po kështu është zgjedhur Gramoz Ruçi sekretar i Përgjithshëm i PS, dhe janë zgjedhur emrat e sekretariatit ekzekutiv

Ndërkohë që kërkesa e 2 deputetëve Blushi e Hafizi në lidhje me referendumin e 9 prillit nuk është futur në rendin e ditës. Ndërkaq në propozimet e bëra nga Kreu i PS, Edi Rama shihet që deputeti Ben Blushi është nxjerrë jashtë Kryesisë. Emri i tij nuk ishte në propozimet e reja.

ORA 18:45 ASAMBLEJA E PS, PËRFUNDON NUMËRIMI I VOTAVE PËR SEKRETARËT
Gramoz Ruçi, sekretar i Përgjithshëm i PS me 266 vota
Bashkim Fino, sekretar për Organizimin Administrativ me 260 vota
Alfred Peza, sekretar për Organizimin Dixhital me 247 vota
Musa Ulqini, Sekretar për Organizimin e Burimeve Njerëzore dhe Marrëdhëniet me Koalicionin me 249 vota
Koço Kokëdhima, sekretar për Reformën Strukturore dhe Emigracionin me 217 vota
Elisa Spiropali, Sekretare e Rinisë me 243 vota
Ilir Beqaj, Koordinator Kombetar me 240 vota
Blerina Gjylameti, Sekretar për Elektoratin me 246 vota

ORA 17:15 KRYESIA E PS, PËRFUNDON NUMËRIMI PËR KANDIDATËT BURRA
Ka përfunduar numërimi për burrat kandidat për anëtarë të Kryesisë së Partisë Socialiste. Ishin 17 kandidatura për 13 vende, por deputeti Namik Dokle është tërhequr nga kandidimi.

ASAMBLEJA KOMBËTARE ZGJODHI 13 ANËTARËT E RINJ TË KRYESISË PS
Blendi Klosi mori 242 vota
Pandeli Majko mori 242 vota
Erion Veliaj mori 236 vota
Saimir Tahiri mori 234 vota
Ditmir Bushati mori 219 vota
Arben Ahmetaj mori 216 vota
Fatmir Xhafaj mori 214 vota
Niko Peleshi mori 214 vota
Damian Gjiknuri mori 210 vota
Erjon Braçe mori 208 vota
Taulant Balla mori 208 vota
Vangjush Dako mori 181 vota
Armando Subashi mori 177 vota

ORA 15:20 ASAMBLEJA KOMBËTARE, PËRFUNDON NUMËRIMI PËR GRATË
Ka përfunduar numërimi për gratë kandidate për anëtare të Kryesisë së Partisë Socialiste. Ishin 12 kandidatura për 7 vende, por deputetja Arta Dade është tërhequr nga kandidimi.

NGA 12 KANDIDATE GRA, U ZGJODHËN 7 PREJ TYRE
Eglantina Gjermeni kryeson me 226 vota
Mimi Kodheli ka marrë 219 vota
Vasilika Hysi ka marrë 197 vota
Lindita Nikolla ka marrë 177 vota
Evis Kushi ka marrë 167 vota
Olta Xhacka ka marrë 166 vota
Valentina Leskaj ka marrë 163 vota

Ora 13:45- Asambleja e Partisë Socialiste ka përfunduar votimin për zgjedhjen e strukturave drejtuese të Partisë Socialiste, teksa tashmë po zhvillohet procesi i numërimit.

Anëtarët e Asamblesë votuan për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, Kryesinë, Sekretariatin Ekzekutiv, Komisionin e Zgjedhjeve, Kryefinancierin dhe Këshillin e Mbikëqyrjes Financiare.

PROPOZIMET
Kryeministri Edi Rama tha se janë 2 lista për Kryesinë e PS-së, një për burrat dhe një për gratë. Rama lexoi emrat e 12 zonjave të propozuar për Kryesinë e PS për 7 vende si dhe 18 kandidatë burra për 13 vende. Mes grave ishte edhe deputetja Arta Dade, e cila është tërhequr nga kandidimi.

“Për sekretariatin ekzekutiv, skema që unë mendoj se është më përshtatshme është që të mos kemi sekretar për çështjet por një koordinator. Sekretarët të jenë strikt për aspektet organizative. Sekretar për reformën strukturore dhe migracionin Kokëdhima. Sekretar i përgjithshëm Gramoz Ruçi. Sekretare e Rinisë Elisa Spiropali”, propozoi Rama.
Dade ka njoftuar dorëheqjen nga kandidimi për Kryesinë e PS. “S’jam dakord me këtë mënyrë drejtimi të partisë. Parimet e mia bien ndesh me ato çka ka bërë PS, 3 vitet e fundit. Ja lë vendin një tjetër zonje apo vajze në PS”, ka thënë Dade.

Pas saj është dorëhequr nga kandidimi për anëtar i Kryesisë së PS-së edhe një nga deputetët më të vjetër, Namik Dokle, i cili ka thënë se “Largohem nga gara për t’i lënë vendin më të rinjve”.

Ja emrat e kanidatëve gra dhe burra për Kryesinë e PS
Arta Dade (u tërhoq)
Anila Shehu
Olta Xhaçka
Englantina Gjermeni
Ermonela Felaj
Evis Kushi
Klotilda Ferhati
Lindita Nikolli
Valentina Leskaj
Vasilika Hysi
Ogerta Manastirliu
Mimi Kodheli

Kandidatët burra për Kryesinë e PS
Arben Ahmetaj
Armando Subashi
Besnik Baraj
Blendi Klosi
Damian Gjiknuri
Ditmir Bushati
Eduard Shalsi
Erion Brace
Erion Veliaj
Fatmir Xhafaj
Namik Dokle (u terhoq)
Niko Peleshi
Pandeli Majko
Qazim Sejdini
Taulant Balla
Vangjush Dako
Ulsi Manja
Saimir Tahiri

Sekretar i Përgjithshëm
Gramoz Ruçi

Sekretariatet
Koordinator Kombetar, Ilir Beqaj
Sekretar organizativ, Bashkim Fino
Sekretar Dixhital, Alfred Peza
Sekretar për Burimet njerëzore, Musa Ulqini
Sekretar për Rininë, Elisa Spiropali
Sekretar për Emigrantët, Koço Kokëdhima
Sekretar për Elektoratin, Blerina Gjylameti

HAFIZI
Deputetja Mimoza Hafizi e ka quajtur akt fisnik dhe shenjë proteste ndaj asaj që po ndodh në PS, dorëheqjen e Dades nga kandidimi për kryesinë e PS.
“Dorëheqja e Dades, akt fisnik, dhe protestë për gjithçka ka ndodhur në PS dhe do të ndodhë”, tha ajo.

RAMA: REFERENDUMI USHTRIM I SHKËLQYER DEMOKRATIK, MË MOTIVOI
Në nisje të punimeve të Asamblesë, kreu i PS-së dhe kryeministri Edi Rama tha se kalimi i reformës në drejtësi para pushimeve të parlamentit është kushti për hapjen e negociatave. “Për ne reforma në drejtësi kalon javës tjetër, na e kërkon BE”, tha Rama.

Kryeministri tha se zgjedhjet në PS do të intensifikojnë procesin e anëtarësimeve, një proces i nisur prej 1 viti.

“Vijmë sot në këtë asamble pas një kongresi që i hapi rrugë një referendumi për herë të parë në historinë e Partisë sonë por edhe në jetën politike të partive në Shqipëri. Ishte një ushtrim i shkëlqyer demokratik, me një pjesëmarrje shumë inkurajuese njëkohësisht edhe shumë motivuese për mua në radhë të parë por besoj edhe për të gjithë. Pasi ajo çka ka ndodhur në këtë periudhë të fundit, qysh se asambleja e mëparshme vendosi të ndërmarrë një proces hapjeje, është për mua dhe për të gjithë ne një motivacion për të ecur me vendosmëri përpara. Nuk është diçka që ndodh rëndom, që një parti që qeveris, partia kryesore e koalicionit, e cila prej 2 vitesh udhëheq një proces reformash, të nisë anëtarësimet e reja dhe të ketë një mbështetje kaq të madhe dhe kaq domethënëse në formën e dëshirës për të qenë pjesë e saj dhe të vullnetit për t’u anëtarësuar në radhët e saj. Procesi i anëtarësimeve nuk ka mbaruar me zgjedhjet e reja do intensifikohet”, tha Rama.

Kreu i PS-së tha se procesi i anëtarësimeve ka konfirmuar anketimet për dëshirën e njerëzve për të qenë pjesë e PS.

“Ajo çka kemi parë në realitetin e këtij procesi ka konfirmuar plotësisht atë që na treguan anketimet për predispozitën e njerëzve në këtë vend, në një përqindje të konsiderueshme për t’u bërë pjesë e PS. Në qershor festojmë përvjetorin e 25-të të PS-së dhe është një moment i favorshëm për të bërë edhe një reflektim retrospektiv mbi historinë 25 –vjeçare të PS, mbi sfidat, sukseset, dështimet, arritjet, gabimet dhe njëkohësisht për të kremtuar bashkëjetesën mes gjeneratave dhe harmoninë mes brezave që e bën Partinë tonë një forcë të madhe e të ekuilibruar që përfaqëson të gjitha moshat. Dua të nënvizoj faktin e rëndësishëm se edhe një nismë e fundit për ripërtëritjen rrënjësore të FRESSH përmes një formati inovativ ka sjellë mbi 4200 aplikime për të hyrë në një garë mbresëlënëse dhe ka tërhequr shumë të rinj e të reja (FRESSH Voice)”, tha Rama.

Ai theksoi se PS është partia që çliroi nga barra e taksave 97% të shqiptarëve. “Jemi partia që kemi zeruar taksën e biznesit të vogël, jemi partia që kemi përgjysmuar taksën për kategorinë e sipërme të biznesit të vogël dhe që pa më të voglin dyshim kemi kthyer ekonominë në rrugën e rritjes. Të gjithë e dimë nga nisi dhe sot po planifikojmë rritjen. Nuk është mjaftueshme, na duhet një rritje ekonomike më e lartë dhe jemi të bindur që do t’ia dalim duke rritur volumin e investimeve të huaja”, u shpreh kryeministri.

Rama mohoi zërat dhe raportimet për rënien e investimeve të huaja, duke theksuar se Shqipëria është vendi i dytë në rajon për këto investime, duke lënë pas edhe Maqedoninë.

“E rëndësishme të thuhet se miti që kanë rënë investimet e huaja, është ngritur mbi asgjënë sepse viti i shkuar ka qenë viti me investimet e huaja më të larta në 25 vite. Po mos të llogarisim privatizimin e HEC-eve ne kemi patur vitin më të lartë të investimeve. Shifrat në rajon thonë diçka krejt të kundërt, Shqipëria është vendi i 2-të për investimet e huaja në rajon. Maqedonia shumë më pas nesh”, u shpreh ai.

REFORMA NË DREJTËSI
Kryeministri Edi Rama pasi vlerësoi punën e ekspertëve vendas dhe të huaj për Reformën në Drejtësi, theksoi se është gati që ky proces të kalojë që javën tjetër, në pak ditë. Por, sic tha ai, pala tjetër, opozita mungon dhe nxjerr pretekse se PS nuk e do Reformën në Drejtësi. Rama u shpreh se, Reforma në Drejtësi është kushti themelor i BE, që Shqipëria të kapërcejë pragun e vendit negociator me Bashkimin Europian.

“Pa reformën në drejtësi gjithë përpjekjet për të bërë shtet lënë gjithë premisën për të na kthyer mbrapsht.
Nuk duam një reformë të shkruar nga partitë për partitë me partitë, por rrënjësore, të shkruar sëbashku nga ekspertë shqiptarë e ndërkombëtare, organizata, shoqata grupe interesi në Shqipëri, misione kombëtare dhe padyshim si një punë e përbashkët e Shqipërisë me komunitetin e miqve dhe partnerëve të vendit tonë.

Kemi thënë qysh herët që nuk do kërkojmë asnjë deformim të reformës në funksion të partisë edhe jo rastësisht jemi partia më e madhe e koalicionit, por dhe partia që nuk ka shkruar asnjë gërmë për t’ju kundërvënë apo plotësuar draftin e paraqitur nga ky numër i konsiderueshëm ekspertësh vendas e të huaj, por dhe një procesi që është historik për nga metoda.
Nga ekspertët kam dëgjuar vlerësime të jashtëzakonshme për procesin, por më shumë se një rast kam dëgjuar se ky është një proces që duan ta implementojnë dhe në vende të tjera.
Këtu dua të falenderoj dhe para Asamblesë, kryetarin e komisionit Fatmir Xhafajn, që ka bërë një punë shembullore, model për të gjithë ne si mund të organizohet një proces duke përfshirë gjithkënd dhe nxitur nxjerrjen e një produkti pa u ndikuar për interesa të palës.

Rrethi po ngushtohet, por është hapi i fundit për të kapërcyer pragun e Bashkimit Europian si vend negociator.
Kalimi i Reformës para pushimeve të parlamentit është kushti që BE na hapi dyert e negociatave. Kam thënë që reforma mund të kalojë në mars, në prill, por mund të them që reforma kalon që javën tjetër, madje në pak ditë.
Ti përmbahemi të gjitha parimeve të komisiinit të Venecias dhe të ecim në një rrugë falë komisionit të Venecias.
Pala tjetër nuk është në tavolinë dhe është e vetmja forcë apo mendje që mund të imagjinohet që thotë se; ata që janë në tavolinë dhe na presin ne, nuk e duam atë që duhet të prodhohet, por ne që nuk jemi në tavoline, ne e duam reformën. Por ne nuk ulemi në tavolinë se nuk e duan ata reformën”, ja këtë thotë pala tjetër.
Por reforma do kalojë, se cilido që identifikohet si penguesi i saj do merrte përsipër një kosto përvëluese me një faturë të papërballueshme qoftë dhe nga populli shqiptar”.

Fjala e plotë e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në konstituimin e Asamblesë së re të PS-së:

Faleminderit që erdhët sot, për të çelur këtë fazë të re të punës sonë të përbashkët. Së pari, urime të gjithë të zgjedhurve. Në radhë të parë, të zgjedhurve rishtas, të cilët janë pjesë e këtij forumi kaq të rëndësishëm për herë të parë. Uroj, shpresoj dhe kam bindjen që, ky do të jetë një forum pune, një forum aktivizmi intensiv dhe komunikimi të vazhdueshëm me të gjithë socialistët, progresistët, anëtarë, anëtare ose mbështetës e mbështetëse të Partisë Socialiste.

Vijmë sot, në këtë Asamble, pas një Kongresi që i hapi rrugë një referendumi për herë të parë në historinë e partisë sonë, por edhe në jetën politike të partive në Shqipëri. Ishte një ushtrim i shkëlqyer demokratik, me një pjesëmarrje shumë inkurajuese dhe njëkohësisht, edhe shumë motivuese, për mua në radhë të parë, por besoj edhe për të gjithë ne këtu.

Ajo çka ka ndodhur në këtë periudhë të fundit, qysh kur Asambleja e mëparshme vendosi të ndërmarrë një proces hapjeje, zgjerimi dhe rritjeje të anëtarësisë së partisë, është për mua dhe duhet të jetë për të gjithë ne, një motivacion jashtëzakonisht i fuqishëm për të ecur me vendosmëri përpara. Nuk është diçka që ndodh rëndom, që një parti që qeveris, partia kryesore e koalicionit, e cila prej dy vitesh udhëheq një proces të jashtëzakonshëm reformash të thella dhe të dhimbshme, të nisë procesin për anëtarësimet e reja – e kemi nisur fiks mbas dy vitesh – dhe të ketë një mbështetje kaq të madhe dhe kaq domethënëse, në formën e dëshirës për të qenë pjesë e saj dhe të vullnetit për t’u anëtarësuar në radhët e saj.

Nga ana tjetër, procesi i anëtarësimeve të reja është një proces që jo vetëm nuk ka përfunduar, por me konstituimin e kësaj Asambleje, me zgjedhjen e Kryesisë së re do të intensifikohet në të gjithë territorin e vendit. Jemi të gjithë dëshmitarë të faktit se sa shumë njerëz duan të bëhen pjesë e Partisë Socialiste. Ajo çka kemi parë në realitetin e këtij procesi ka konfirmuar plotësisht, atë që na treguan anketimet tona për predispozitën e njerëzve në këtë vend, në një përqindje të konsiderueshme, për t’u bërë pjesë e Partisë Socialiste.

Në qershor të këtij viti, ne kremtojmë përvjetorin e 25-të të Partisë Socialiste dhe është një moment jashtëzakonisht i favorshëm për të bërë edhe një reflektim retrospektiv mbi historinë 25 vjeçare të Partisë Socialiste, mbi sfidat, sukseset, dështimet, arritjet. Njëkohësisht, për të kremtuar në radhë të parë bashkëjetesën mes gjeneratave dhe harmoninë mes brezave, që e bënë partinë tonë një forcë të madhe dhe të ekuilibruar, që përfaqëson të gjitha moshat. Në këtë aspekt dua të nënvizoj faktin e rëndësishëm se edhe një nisëm e re, më e fundit, për ripërtëritjen rrënjësore të Forumit Rinor Eurosocialist, përmes një formati tërësisht inovativ, ka sjellë 4200 e disa aplikime nga të rinjtë dhe të rejat në të gjithë Shqipërinë, për të hyrë në një garë që falë Pandeli Majkos dhe Elisa Spiropalit është organizuar në një mënyrë shumë mbresëlënëse dhe ka tërhequr shumë të rinj e të reja. Jam i bindur që edhe kjo garë do t’i shërbejë procesit të ripërtëritjes, të forcimit dhe të rritjes jo vetëm të forumit rinor, por të vetë Partisë Socialiste.

Ashtu sikundër jam i bindur që kemi një potencial ende të madh dhe të pashfrytëzuar në emigracion dhe paralelisht me të gjithë çfarë po bëjmë si qeveri, për të përfshirë emigrantët në procesin vendimmarrës, duhet që edhe si parti të vazhdojmë të punojmë intensivisht, për të bërë të mundur që të gjithë ata emigrantë që janë mbështetës e përkrahës të Partisë Socialiste të jenë pjesë e këtij procesi dhe padyshim, sa më shumë prej tyre t’i bashkohen fitores sonë në zgjedhjet e ardhshme.

Kjo është sot një sfidë e re, edhe sepse ne kemi sot në dispozicion teknologji që deri dje nuk i kemi pasur dhe që e bëjnë përfshirjen e njerëzve në distancë të mundshme, pavarësisht pamundësisë fizike për të qenë në të njëjtin vend.

Jemi sot, në kushtet kur është e domosdoshme të çelim një fazë të re komunikimi me publikun, me popullin shqiptar, përmes një dialogu të ri për programin e Shqipërisë së Gjeneratës Tjetër.

Kemi bërë më shumë reforma se asnjëherë më parë, në një kohë të shkurtër dhe kemi prekur sektorë dhe praktikisht, sisteme nervore të paralizuara të thuajse të të gjithë sektorëve.

Kemi bërë një Reformë Administrative-Territoriale që është historike për Shqipërinë dhe që ka çelur një kapitull të ri në modernizimin e qeverisjes.

Një reformë të pronës, e cila i jep më në fund, pas 25 vitesh, zgjidhje reale, konkrete, praktike një problemi që u bart vetëm për t’u komplikuar më shumë.

Një reformë fiskale që i bën nder forcë sonë politike dhe që është konfirmimi më spektakolar i të vërtetës se ne jemi partia që i ndan përgjegjësitë për kontributet sipas mundësive për të kontribuuar.

Faktikisht, jemi partia që kemi lehtësuar barrën e taksave për 97% të shqiptarëve. Jemi partia që kemi zeruar taksën e biznesit të vogël, të të gjithë atyre që vetëpunësohen në një biznes të vogël. Jemi partia që kemi përgjysmuar taksën për kategorinë e sipërme të biznesit të vogël dhe që pa as më të voglin dyshim kemi kthyer ekonominë në rrugën e rritjes.

Të gjithë e dimë se nga nisi.

Sot jemi kushtet kur planifikojmë një rritje ekonomike prej 3.4%, por mjafton të jemi mbi 3% dhe padyshim jemi një vend me rritjen më të lartë ekonomike në rajon. Kjo nuk është e mjaftueshme. Sigurisht që për të impaktuar drejtpërdrejtë familjet në mënyrë më të ndjeshme, na duhet një rritje ekonomie më e lartë dhe jam i bindur se ne mund t’ia dalim, duke rritur volumin e investimeve të huaja.

Por në ndërkohë është shumë e rëndësishme që të thuhet se miti, sipas të cilit kanë rënë investimet e huaja, është i ngritur mbi asgjënë, pasi viti i shkuar ka qenë viti me shifrën më të lartë të investimeve të huaja në 25 vjet, po të mos llogarisim dhe investimet e huaja pa privatizim; po të mos llogarisim privatizimin e hidrocentraleve, të cilat u shënuan si investime të huaja, ne kemi pasur vitin më të lartë me investime të huaja vitin e shkuar. Për më tepër, shifrat në rajon thonë diçka krejt të kundërt nga çfarë thonë mitet urbane në Shqipëri, se Shqipëria është vendi i dytë për investime të huaja. E meqë bëhet vazhdimisht një krahasim me Maqedoninë, Maqedonia është shumë më pas nesh për volumin e investimeve të huaja.

Kemi bërë një reformë të energjisë, për të cilën jemi të gjithë të vetëdijshëm që ka shënuar pikën e kthesës së madhe në raport me ekonominë dhe në raport me rendin ligjor.

Një reformë të rendit dhe Policisë së Shtetit, për të cilën jemi krenarë dhe për të cilën sulmohemi përditë, me të drejtë, sepse është një ndër sukseset tona më të mëdha. Aty ku ne bëjmë sukses, padyshim, edhe proporcioni i sulmeve është i drejtë me proporcionin e suksesit.

Një reformë në arsim që është një kthesë historike për arsimin në të gjitha nivelet.

Një reformë në shëndetësi që është kantieri më i vështirë për shumë arsye objektive, por që të mos harrojmë se mund të shënojmë qysh sot, disa arritje shumë të rëndësishme. Që nga kursimi i 70 milionë dollarëve nga xhepat e shqiptarëve që deri dje i blinin ilaçet 30% më shtrenjtë dhe më shtrenjtë se në vendet e origjinës, tek mjeku i familjes që sot është falas, tek kontrolli bazë mjekësor që sot është falas e me radhë, për të mos i përmendur të gjitha.

Kemi reformuar pensionet. Një reformë, të cilën të gjithë para nesh e shtynë për t’ia lënë në dorë si patate e nxehtë pasardhësve dhe që praktikisht na çoi në prag të një kolapsi të të gjithë skemës së pensioneve, për shkak të deficitit të papërballueshëm. Sot e kemi kthyer në normalitet, për të vazhduar më tutje, skemën, duke mos qenë më të kërcënuar nga kolapsi i saj.

Kemi reformuar ndihmën ekonomike. Kemi bërë të mundur që ata që meritojnë ndihmën ekonomike të marrin më shumë, ndërkohë që ata që nuk e meritojnë ndihmën ekonomike të mos marrin më. Ndihma ekonomike ka qenë një skemë monumentale korrupsioni dhe klientelizmi, një skemë skllavërimi për të marrë votat. Sot është një skemë që është futur në rrugën normale, edhe pse ka ende punë për ta standardizuar, për ta bërë plotësisht transparente dhe për t’i dhënë objektivitetin më të lartë.

Sigurisht që, të gjitha këto janë arsye të forta për të qenë krenarë për çfarë kemi bërë, por nuk janë arsye për të thënë se mjafton. Përkundrazi! Janë gjithashtu arsye për të thënë se pikërisht pse kanë qenë të nevojshme të bëhen të gjitha këto, ne jemi të vetëdijshëm, por të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm, që shumëçka tjetër që njerëzit presin me të drejtë nuk mund të vinte menjëherë dhe nuk mund të vijë menjëherë, pasi shtëpia që morëm në dorëzim ishte e gjitha në kolaps dhe në prag të falimentit.

Pa folur për çka kemi bërë për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Besoj që atë që politika e jashtëme e Shqipërisë ka bërë në këto 30 muaj nuk e ka bërë politika e jashtme në të gjitha vitet e tjera të marra sëbashku, për ta vendosur Shqipërinë jo vetëm në një pozicion komod në raport me standardet e paqes dhe stabilitetit, por në një pozicion aktiv. Në një pozicion aktiv në rajon, në një pozicion aktiv në NATO, në një pozicion aktiv në raport me të gjitha detyrimet, por edhe të drejtat e partneritetit ndërkombëtar.

Sot, qeverisë sonë i janë hapur të gjitha dyert, deri dje të mbyllura për disa vite për qeverinë shqiptare. Sot mund ta them me krenari, ne konsiderohemi jo vetëm partner të besueshëm, por edhe partnerë me dinjitetin e të barabartëve, pavarësisht madhësisë së vendit, pavarësisht shkallës së impaktit që vendi ynë mund të ketë.

Vizita jonë në Shtëpinë e Bardhë, besoj unë, ishte konfirmim i plotë i këtij transformimi. Ishte kulmi i një trajektore të nisur me shumë mundim dhe kushte krejt të pafavorshme, për shkak të dërrmimit të imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe të një izolimi de facto që i ishte bërë qeverisë së mëparshme, e cila posaçërisht në harkun e dy viteve të fundit nuk pati asnjë komunikim dhe kontakt zyrtar të nivelit më të lartë. Edhe kjo është një arsye për të shkuar përpara me vendosmëri, sepse të gjitha këto nuk kanë ardhur si rezultat i vendosmërisë sonë për të bërë reforma, për të bërë shtet, për t’i dhënë Shqipërisë rol në rajon dhe dinjitet në arenën ndërkombëtare.

Sigurisht, jo gjithçka në këtë aspekt ka ardhur thjesht e vetëm për shkakun tonë, sepse kemi qenë të favorizuar edhe nga një konjukturë ndërkombëtare dhe europiane, që na e ka bërë më të lehtë veprimin politik dhe diplomatik. Por, fakti, është që jemi ne që sot shihemi, vlerësohemi dhe respektohemi si promotorët aktivë të paqes dhe të bashkëpunimit rajonal në Ballkan dhe si një vend që nuk tregohet më me gisht nga partnerët si një problem, por ecën krah për krah me partnerët. Sigurisht, duke qenë të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e thellimit të mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit si një luftë për të reformuar shtetin, për të bërë shtet dhe për të bërë drejtësi.

Reforma në drejtësi është kyçi i të gjitha dyerve të tjera. Pa reformën në drejtësi, të gjitha reformat e tjera dhe e gjithë përpjekja për të bërë shtet kërcënohen seriozisht për të na lënë në vendnumëro, me premisën për t’u kthyer mbrapsht. Jemi edhe këtu, krenarë për faktin që qysh ditën e parë kemi marrë një zotim solemn përpara shqiptarëve, që ne duam një reformë rrënjësore dhe do të mbështesim një reformë rrënjësore, që ne nuk duam një reformë në drejtësi të shkruar nga partitë, me partitë dhe për partitë, por duam një reformë në drejtësi të shkruar sëbashku nga ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, organizata, shoqata, grupe interesi në Shqipëri, misione ndërkombëtare dhe padyshim, si një punë të përbashkët të Shqipërisë me komunitetin e miqve dhe partnerëve të vendit tonë.

E kemi thënë qysh në krye të herës se ne nuk do të vëmë asnjë veto, nuk do të kërkojmë asnjë deformim të reformës në funksion të interesave të partisë. Jo rastësisht jemi partia më e madhe në Shqipëri, partia më e madhe e koalicionit, por e vetmja parti që nuk ka shkruar asnjë germë për t’iu kundërvënë, apo për ta plotësuar draftin e paraqitur nga ky numër i konsiderueshëm ekspertësh vendas e të huaj, por mbi të gjitha si rezultat i një procesi që është historik për nga metoda. Unë mund t’ju them vetëm që nga takimet me partnerët ndërkombëtarë kam dëgjuar vlerësime të jashtëzakonshme për procesin. Po ashtu, në më shumë se në një rast, partnerët kanë nënvizuar që ky është një proces që dëshirojnë ta implementojnë edhe në vende të tjera. Kjo është një e vërtetë e madhe. Nuk është bërë në Shqipëri ndonjëherë, një proces i tillë për të bërë ligje, nuk është bërë një proces i tillë ndonjëherë, për të bërë ndryshime të Kushtetutës, madje, edhe për vetë Kushtetutën e re, besoj, nuk është bërë një proces i tillë. Këtu dua ta falenderoj edhe përpara Asamblesë, edhe publikisht, kryetarin e Komisionit, Fatmir Xhafën, i cili ka bërë një punë shembullore, model, për të gjithë ne, për si mund të organizohet një proces, duke përfshirë gjithkënd, pa dallim dhe duke nxitur nxjerrjen e një produkti pa imponuar dhe pa ndikuar për deformimin e tij për interesa palësh.

Sot, ne shohim që reforma është shkak i një tensionimi artificial që rritet përditë me sebepe, alibi dhe justifikime, që nuk janë asgjë tjetër, përveçse shprehje e sëkëlldisë, për të mos thënë fjalë të tjera, që ka shkaktuar reforma. Afatet fundore po afrohen, rrethi po ngushtohet. Kjo reformë është as më shumë dhe as më pak, jo vetëm një kthesë historike për drejtësinë shqiptare, por edhe hapi i fundit për të kapërcyer pragun e Bashkimit Europian si vend negociator me BE-në. Kalimi i reformës përpara pushimeve të parlamentit është kushti që Bashkimi Europian të na hapë derën e negociatave.

Unë kam thënë se reforma mund të kalonte në mars, se mund të kalonte në prill, po ju them se reforma mund të kalojë dhe javën tjetër, sepse ne kemi qenë gati në mars, jemi gati në prill, jemi gati edhe javën tjetër. Për ne, reforma kalon në pak ditë, sepse ne jemi shumë të qartë për pozicionin tonë dhe mbi të gjitha jemi të vendosur t’i qëndrojmë besnik popullit shqiptar, duke lëshuar jo pak nga ato që mund të quhen interesa të dukshme të palës që lidhen me pushtetin, apo që lidhen edhe thjesht me të qenin parti politike dhe duke iu përmbajtur të gjitha parimeve të nënshkruara nga Komisioni i Venecias, për të ecur në një rrugë që, falë raportit të Komisionit të Venecias dhe mbi draftin mbi të cilin është punuar për kaq shumë kohë, është shumë e thjeshtë. Por pala tjetër nuk është në tavolinë. Është e vetmja forcë apo mendje që mund të imagjinohet që të thotë se; ata që janë në tavolinë dhe na presin ne nuk e duan atë që tavolina duhet të prodhojë, ne që s’jemi në tavolinë dhe që i kemi lënë të na presim, e duam atë, por ne nuk ulemi në tavolinë, sepse nuk duam ata?!

Sidoqoftë, reforma jam i bindur që do të kalojë. Ashtu sikurse jam i bindur se cilido që do ta identifikonte veten plotësisht si penguesi i saj do të merrte përsipër një kosto përvëluese, me një faturë të papërballueshme, qoftë nga populli shqiptar, qoftë nga komuniteti ndërkombëtar.

Për të ardhur tek puna konkrete për ditën e sotme, krijimi i Kryesisë dhe Sekretariatit që lidhet drejtpërdrejtë edhe me gjithçka thashë, për të çuar më tutje, me vendosmëri, gjithçka që kemi nisur. Përsa i takon Kryesisë ju e dini që ka dy lista, një listë për burrat e djemtë dhe një listë për gratë e vajzat.

Përsa i përket grave e vajzave janë 12 kandidate për 7 vende. Renditja është strikte sipas alfabetit, jo sipas preferencave: Arta Dade, Anila Shehu, Englantina Gjermeni, Ermonela Felaj, Evis Kushi, Klodilda Ferhati, Lindita Nikolla, Mimi Kodheli, Ogerta Manastirliu, Olta Xhaxhçka, Vasilika Hysi, Valentina Leskaj.

Për burrat, 18 kandidatë për 13 vende: Arben Ahmetaj, Armando Subashi, Besnik Bare, Blendi Klosi, Damian Gjiknuri, Ditmir Bushati, Eduard Shalsi, Erion Braçe, Erion Veliaj, Fatmir Xhafaj, Namik Dokle, Niko Peleshi, Pandeli Majko, Qazim Sejdnini, Saimir Tahiri, Taulant Balla, Vangjush Dako, Ulsi Manja.

Këto janë listat për kryesinë.

Për Sekretariatin Ekzekutiv, skema që unë mendoj se është më e përshtatshmja në këtë fazë, kur ne jemi edhe në qeverisjen e vendit, është të mos kemi sekretar për çështjet, por të kemi vetëm një koordinator për programin, ndërkohë që të gjithë sekretarët të jenë strikt për aspektet organizative të partisë.

Sekretari për Organizimin Administrativ të partisë Bashkim Fino;

Sekretari për Organizimin Dixhital Alfred Peza;

Sekretari për Organizimin e Burimeve Njerëzore dhe Marrëdhëniet e Koalicionit Musa Ulqini;

Sekretarja e Rinisë Elisa Spiropali;

Sekretar për Reformën Strukturore dhe Emigracionin Koço Kokëdhima;

Sekretare për Koordinimin Elektoral Blerina Gjylameti;

Koordinatori Kombëtar për Programin Ilir Beqja.

Ndërkohë Sekretar i Përgjithshëm dihet emri, por unë po e them sepse duhet zyrtarisht, Gramoz Ruçi.

Faleminderit!

(m.k/d.b/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb