Mediat e huaja kanë pasqyruar gjerësisht fitoren e sotme të Shqipërisë ndaj Armenisë, që e çon Kombëtaren në Euro2016. Duke nisur nga BBC, Corriere Dello Sport, mediat daneze, mediat serbe e me radhë pasqyrojnë kualifikimin e Shqipërisë në Europian

“Shqipëria siguron vendin e saj në Euro2016”, shkruan BBC. “Shqipëria për herë të parë në kampionatin evropian”, shkruan media serbe B92. E ndërsa Corriere Dello Sport shkruan: “Shqipëria kualifikim historik. De Biassi shkruan historinë me Shqipërinë, duke e çuar direkt në Europian, pa kaluar në Play-off”.

MEDIAT DANEZE: SHQIPËRIA MORI BILETËN TONË, ARMENËT S’NA NDIHMUAN

Shqipëria rrëmbeu vendin e fundit që kualifikohet direkt për në Euro 2016 duke fituar 3-­0 me Armeninë, ndërsa Danimarka do të luaj edhe dy ndeshjet e fundit shtesë në Play­of për të shfrytëzuar mundësinë e fundit. Kjo është kryefjala e mediave daneze të cilat i kanë bërë jehonë kualifikimit të Shqipërisë në Europian, ndërsa kombëtarja e tyre zbriti në vendin e tretë në renditjen e Grupit I.

“Shqipëria i jep fund ëndrrës daneze për t’u kualifikuar në Euro 2016” Ky është titulli i gazetës “”cphpost.dk”, e cila shkruan se shqiptarët kanë siguruar automatikisht kualifikimin duke shmangur humbjen në Jerevan. Në artikull thuhet se ekipi armen nuk i erdhi në ndihmë danezëve në ndeshjen e luajtur ndaj Shqipërisë. “Lojtarët e Morten Olsen duhet të luajnë dy ndeshje emocionuese në hapësirën Play­of. Danimarka mund të rrezikojë t’i bien ekipe si Holanda, apo Suedia”,­shkruan portali danez “Mx.dk”. Ndërsa mban titullin “Shqipëria mori biletën tonë”.

Një tjetër media daneze (bt.dk), shkruan se armenët nuk i ndihmuan danezët në kualifikimin për në Europian. “Nuk erdhi asnjë ndihmë nga Armenia. Përveç kësaj, ata ishin keq pasi humbën 0­3 nga Shqipëria. Tashmë shqiptarët kanë siguruar vendin e tyre për në Kampionatin Europian”,­ shkruan media daneze. Rezultati i arritur nga kuqezinjtë e De Biazit në Armeni është komentuar gjatë në mediat daneze. Portali danez “d.dk”, mban titullin “Armenët nuk ndihmojnë Danimarkën drejt Europianit”. “Danimarka është e detyruar të luaj dy ndeshje shtesë për t’u kualifikuar”, shkruan “d.dk”. “Përveç kësaj, Danimarka ka dështuar në përballjet direkte në ndeshjet eliminatore drejtpërdrejtë në dy barazime me Shqipërinë dhe Armeninë”,­thekson gazeta daneze.
(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: