Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo ka deklaruar se opozita do të vijojë me protesta dhe presion politik, duke e cilësuar këtë si strategjinë e vetme përballë qeverisë.

I ftuar në programin e drekës në News24, Bozdo theksoi se opozita nuk mund të tërhiqet nga aksioni i saj.

“Nuk mund të heqim dorë nga protestat. Strategjia jonë është këmbëngulja. Regjime të tilla nuk bien me një të rënë të sëpatës,” u shpreh ai.

Ai shtoi se nuk ka ende sinjale zyrtare për një qeveri teknike, por opozita do të jetë e gatshme nëse kjo do të ndodhë.

“Nuk kemi sinjale zyrtare për qeverinë teknike, por kur të vijnë do jemi atje. Opozita ka detyrë të qëndrojë përballë këtij regjimi,” deklaroi Bozdo.

Duke komentuar zhvillimet e fundit, ai përmendi edhe sekuestrimet e pasurive, duke ngritur pikëpyetje mbi deklaratat e mëparshme të kryeministrit Edi Rama mbi ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

“40 milionë euro pasuri u sekuestruan dje, mes tyre një person që Edi Rama tha se jetonte në shtëpi me qira. Po ashtu mbi 1 milion euro verëra të Ergys Agasit,” tha ai.

Bozdo theksoi se opozita ka detyrë të jetë aktive në çdo hapësirë politike dhe publike.

“Opozita ka detyrë të bëjë opozitë në çdo hapësirë dhe çdo dritare që ka, kudo që ka një mundësi në këtë situatë që ka krijuar Edi Rama me shoqërinë shqiptare, jemi të destinuar të jemi atje,” u shpreh ai.

Ai pranoi gjithashtu se opozita duhet të reflektojë për rolin e saj, duke theksuar se nuk do të ishte efektive nëse do të hiqte dorë nga reagimi.

“Nuk mendoj se e kemi bërë punën mirë si opozitë nëse heqim dorë nga këto gjëra. Ne do japim shansin të heqin dorë nga frika,” tha deputeti.

Po ashtu, Bozdo ngriti shqetësimin për presion ndaj zërave kritikë ndaj qeverisë, duke përmendur rastin e ish-ministres Elisa Spiropali.

“Kur i ndodh ish-ministres së jashtme se bëri dy statuse, i çuan aradhën me inspektime. E dini mirë çfarë ndodh me mediat, çfarë ndodhi me median tuaj, me gjoba, ju kanë varrosur në situata që nuk ekzistojnë dhe në shpifje, thjesht që t’ju mbyllin gojë. Kjo është shkalla që përjeton shoqëria sot. Opozita nuk mund të heshtë. Pse të dalim në emisione televizive kur nuk bie Rama me emisione? Ia vlen të shkosh në Parlament dhe të thuash çfarë të duash se ata kanë forcën e kartonit”, përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb