ATHINË – Mediat greke vazhdojnë që të raportojnë për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin. Gazeta helene “Parapolitika” shkruan se Beleri mund të kandidojë për eurodeputet nën siglën e partisë Demokracia e Re të Kyriakos Mitsotakis. Sipas asaj që shkruan media e vendit fqinj, kjo hipotezë është hedhur në tryezën e bisedimeve gjatë përzgjedhjes së kandidatëve të Greqisë. Por, nuk ka asgjë konkrete deri më tani dhe Fredi Beleri është i burgosur në Shqipëri nën akuzën e shit-blerjes së votave.

Shkrimi i medias greke Parapolitika:

Kyriakos Mitsotakis duket se ka surpriza në përzgjedhjen e tij, përveç atyre që priten, sa i përket kandidatëve “blu” të zgjedhjeve europiane. Për shembull, sipas rubrikës Big Mouth të powergame.gr, është hedhur në tryezë një ide që kërkon kandidimin e kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri, aktualisht i arrestuar. Ai pritet të kandidojë në Eurolistën e Demokracisë së Re. Përveç karakterit simbolik të lëvizjes, një veprim i tillë do të përforconte karakterin patriotik të votës “blu” europiane.

Çfarë thotë rubrika ‘Big Mouth’

“Rritje të lëvizshmërisë është vënë re ditët e fundit në lidhje me formimin e fletës “blu” europiane, e cila më duhet të pranoj se ka filluar të marrë një ngjyrë të tillë që nga dje, pasi deri më tani ishte diçka mes jeshiles dhe të bardhës. Siç mësoj, kryeministri Mitsotakis, përveç kandidatëve që priten, duket se ka edhe disa surpriza në zgjedhjet e tij. Për shembull, një ish-ministër dhe deputet aktual i ND-së, një nga ata që lëvizin djathtas, më tha se një ide shumë e mirë do të ishte pjesëmarrja në Eurolistën e ND-së e kryebashkiakut të arrestuar të Himarës, Fredi Beleri. Siç më tha i njëjti person, përveç karakterit simbolik të lëvizjes, një veprim i tillë do të forconte karakterin patriotik të votës “blu” europiane”.

(Parapolitika – d.xh – BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: