Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Fatmir Mediu, kërkoi dorëheqjen e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie kujdestare për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, gjatë fjalës së tij në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, ku mori pjesë edhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.

Mediu akuzoi qeverinë se po e përdor integrimin europian për të ruajtur pushtetin, ndërsa Shqipëria përballet me korrupsionin, krimin e organizuar dhe instrumentalizimin e drejtësisë.

“Dorëheqja e Edi Ramës nuk është ndalim i procesit, por përkundrazi, është rruga reale për anëtarësim”, deklaroi Mediu, duke kërkuar gjithashtu reforma zgjedhore konsensuale dhe lista të hapura.

Fjala e plotë:

Duke dëgjuar një pjesë të kolegëve të mazhorancës, më kujtohet një shprehje e vjetër shqiptare dhe po e them në anglisht: “Bless them I for what I hear, wretch them I for what I see”. Padyshim që shqiptarët e mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Europian, jo thjesht për faktin se janë nice people, por sepse besojnë se i jep më tepër vlerë familjes së tyre dhe të ardhmes së tyre si qytetarë europianë. Pyetja thelbësore që duhet të ngremë të gjithë ne sot këtu është, ky proces integrimi europian a shihet si një mundësi historike për popullin shqiptar, apo si një demagogji dhe përfitim për të mbajtur dhe kontrolluar pushtetin në dëm të interesave të shqiptarëve?

A është ky integrim europian vërtet në shërbim të qytetarëve, të interesave të biznesit apo të shoqërisë civile? A duhet Shqipëria të anëtarësohet mbi bazën e meritës, demokracisë dhe sundimit të ligjit, apo të jetë një vend i kontrolluar nga korrupsioni dhe nga krimi i organizuar? Europa kërkon një histori suksesi me të drejtë, dhe ne duam të bëhemi pjesë e kësaj historie suksesi. Por sukses është ai realitet që duhet të prekin çdo ditë shqiptarët dhe jo propaganda politike e Edi Ramës, i cili paraqitet dhe paraqet veten si e vetmja shpresë e këtij kombi, zot mbi gjithçka, ndërkohë që i përçmon qytetarët e vendit të tij dhe opozitën e vendit të tij.

A duhet të shpërfillen apo duhet të analizohen akuzat për korrupsion, trafik droge, shkelje të kushtetutës, instrumentalizimin e drejtësisë? Janë këto që e ndëshkojnë vendin dhe jo opozita, siç thonë kolegët e mi të mazhorancës. Duke qenë për shumë vite pjesë e parlamentit, kam besuar gjithmonë në një Shqipëri europiane ku askush nuk është mbi ligjin, ku i shërbehet qytetarëve nga ana e qeverisë dhe nuk poshtërohen nga qeveria.

Ne duam të sjellim Europën në Shqipëri, e nderuar komisionere, i thashë edhe më parë, jo të detyrojmë që shqiptarët të largohen, më shumë se gjysma e popullsisë drejt Europës. Sot ne nuk jemi një republikë kushtetuese, ne jemi një republikë kryeministrore për të mos thënë më keq. Kur të rinjtë protestojnë për një Shqipëri europiane, për liri dhe të drejta, për pjesëmarrje në procese, ata paraqiten si agjentë kriminelë të ndikimit të huaj, Iranit, Rusisë, ndoshta ndonjëherë do t’i quanjë edhe të Koresë Veriore. Shqipëria në qeverisje, e nderuar komisionere, nuk ndryshon nga qeveria e Serbisë së Vuçiçit, i cili dikur konsiderohej si një nga shtyllat e stabilitetit në Serbi, ndërsa sot etiketohet si autokrat dhe lider i korruptuar.

Shqiptarët që ngrihen kundër korrupsionit, arrogancës, interesave të veçanta dhe për lirinë e tyre, nuk janë pengesë për integrimin europian. Përkundrazi, ata janë shpresa më e madhe e këtij integrimi. Integrimi europian kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku nuk ka Europë pa zgjedhje të lira të ndershme, pa pjesëmarrje të shoqërisë. Dhe po e them për mua, në bindjen time, ka disa çështje që duhet t’i vlerësojmë të gjithë së bashku.

E para njëherë, dorëheqjen e Edi Ramës, dhe ky nuk është ndalim procesi, por përkundrazi është rruga reale për anëtarësim. Një qeveri kujdestare siç e keni miratuar edhe për Maqedoninë, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, lista të hapura, reformë zgjedhore konsensuale, dhe duhet t’i shpjegoni mazhorancës se konsensusi nuk është dhuratë e mazhorancës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb