Nga: ENIDA HIMAJ*
TIRANE – Bukuroshja bionde do të jetë shqiptarja që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Miss Universe”, në Shangai. Megi sapo ka fituar kurorën e më të bukurës, që do t’i shërbejë për tu bërë pjesë e ekranit të madh. Edhe pse vetëm 19 vjeç, Megi është shumë e sigurt në vetvete, ku shprehet se u bë pjesë e garës për ta fituar çmimin. Xhelozia e pjesëmarrëseve të tjera nuk e ka penguar aspak në këtë rrugëtim, pasi si thotë, edhe konkurrentet e tjera e dinin se do të ishte ajo fituesja. Ndërkaq miss-i prej ditësh është bërë pjesë e spektaklit “E diela shqiptare”, çfarë për të do të thotë një hap para në karrierën e saj. Hermetike sa i përket jetës private. Megjithatë me bindje pohon se meshkujt i tremb e bukura.
Përzgjidheni “Miss Universi”, çfarë do të thotë kjo për ju?
“Miss Universe Albania” do të thotë shumë. Për mua është diçka e madhe, mendoj se ky çmim peshon shumë.
A e prisnit këtë çmim?
Të them të drejtën shpresoja shumë që ta merrja këtë çmim. Megjithatë prapë stepesha pasi konkurrenca ishte e fortë. Nuk doja që ta bëja fakt të kryer, pasi zhgënjimi do të ishte i madh më pas.
U bëtë pjesë e “Miss Univers” për ta fituar atë kurorë?
Po, arsyeja e vetme për të cilën u bëra pjesë e “Miss Universe” ishte ta rrëmbeja atë kurorë. Gjithmonë kam qenë e mendimit që në një konkurs duhet të marrësh pjesë për të fituar majën, jo e fundit.
Pe xhelozi në sytë e vajzave të tjera?
Pashë xhelozi të shumta dhe nuk e shpjegoj dot këtë fakt. Edhe vetë ato ma kishin shprehur në një farë mënyre se mendonin që çmimi do më jepej mua. Gjithsesi ishte normale që do të kishte xhelozi.
Shpesh herë spektaklet e bukurisë shoqërohen me polemika rreth fituesit, a keni dëgjuar të tilla dhe për fitoren tuaj?
Kam dëgjuar, megjithatë nuk më interesojnë fjalët e tyre. Unë kam pasur plot mbështetës që më kanë suportuar në çdo moment, kështu që nuk ia vlen t’i dëgjoj. Vendimin nuk e mora unë, por e mori një super juri me kryetar, Gabriel Garko.
Do të përfaqësoni Shqipërinë në Shangai, si ndjeheni?
Ndihem e privilegjuar. Të përfaqësoj Shqipërinë në Shangai do të thotë shumë, shumë. Kam besim tek vetja, ashtu si të tjerët patën besim tek unë. Mendoj se jam vajza më e denjë për ta përfaqësuar Shqipërinë në Shangai. Sigurisht që të gjitha vajzat kanë qenë të mrekullueshme, duhet theksuar se Shqipëria është një vend me vajza të bukura.
A ka Megi mikesha miss apo modele, kë do të veçoje ndër to?
Megi ka mikesha vajzat që morën pjesë në “Miss Universe”. Absolutisht kaluam momente shumë të bukura, ndaj dhe i konsideroj mikesha të miat tanimë.
Po idhuj keni, një model që kërkoni ti përngjani?
Idhuj në veçanti jo. Kam parë dhe jam interesuar për shumë modele të famshme, ama unë kam stilin tim. Kjo më bën të veçantë.
Shpesh miss-et paragjykohen se nuk janë femra inteligjente, si u përgjigjeni këtyre akuzave?
Këto akuza janë të vakëta. Mendoj se inteligjenca me bukurinë s’kanë lidhje fare. Në fakt nuk e mendoj vetëm unë, kështu është. Ndoshta nisen nga fakti që miss-et i kushtojnë shumë rëndësi pamjes së jashtme dhe jo studimeve, ama nuk kanë lidhje fare.
Kush është jeta e Megit jashtë të qenurit një miss?
Megi është një vajzë e thjeshtë, pa komplekse, një vajzë moskokëçarëse e cila nuk pyet për njeri.
Ndërkaq të dielën ju pamë edhe tek “E diela Shqiptare”, si ju erdhi ftesa?
Në fakt u bë një përzgjedhje dhe mes të përzgjedhurve isha dhe unë. I falënderoj shumë të gjithë personat e stafit “E diela shqiptare”.
Mendoni se duke qenë pranë Arditit do të mund të zhvilloni një karrierë në televizion?
Sigurisht që pjesëmarrja ime në atë spektakël do të më ndihmonte të arrija shumë në botën e televizionit.
A është Megi një ndër femrat që kurorën e miss-it do ta përdorë si trampolinë për ekranin e madh?
Nuk është Megi ajo që kurorën do ta përdorë si trampolinë për ekranin e madh, është kurora që përdor veten si trampolinë, tashmë ajo kurorë më ka bërë pjesë të ekranit të madh.
A tremben meshkujt nga femrat e bukura në Shqipëri?
Meshkujt tremben, një femër e bukur gjithmonë ka diçka që fsheh brenda. Mendoj se ajo “diçka” i tremb ata.
Një miss a duhet të ketë një të dashur të famshëm?
Mendoj se një miss nuk duhet të ketë një të dashur të famshëm, është diçka tjetër. Missi nuk mund të dashurohet vetëm me persona të famshëm, nuk është çështje fame.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb