Mbrëmjen e djeshme ishte seanca e parë e asaj që u konsiderua si një ngjarje e paprecedentë e drejtësisë amerikane.

Ish-presidenti Donald Trump do të përballet me 34 akuza penale, mes të cilave edhe ajo e dhënies së rryshfetit me qëllim mbulimin e informacioneve që mund të ndikonin në fushatën e tij zgjedhore për Presidencialet e 2016.

Ndërkohë që hynte në sallën e gjyqit në Mahnatan, Trump shoqërohej nga tre nga pesë fëmijët e tij, ndërsa në fjalimin e mbajtur më vonë në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida, ai falënderoi fëmijët dhe bashkëshortet e tyre të cilët qëndronin me krenari në rreshtin e parë.

Megjithatë, ajo që u vu re ishte mungesa e bashkëshortes së tij Melania, si në sallën e gjyqit, ashtu edhe në konferencën e tij për shtyp.

Mungonte gjithashtu edhe vajta e Ivanka Trump  dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, të dy ish- ndihmës të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Fëmijët që ishin të pranishëm ishin Eric, Donald Jr dhe Tiffany, Bashkë me ta në fjalimin e Trump në Florida ishte Viktor Knavs, babai i Melanias.

Edhe pse nuk ishte e pranishme në sallë, pas publikimit të aktakuzës Ivanka postoi në Instagram: “Unë e dua babanë tim dhe e dua vendin tim. Sot më dhembin të dyja. I vlerësoj zërat në të gjithë spektrin politik që shprehin mbështetje dhe shqetësim”.

Dy nga akuzat të cilat rëndojnë mbi Trump, janë mbi rryshfetin e dhënë nga ish-presidenti për të fshehur marrëdhëniet e tij jashtëmartesore.

Modelja e Playboy Karen McDougal pretendoi se kishte pasur një lidhje me Trump duke filluar në qershor 2006 dhe që zgjati deri në një vit. National Enquirer, një revistë tabloid, dyshohet se pagoi 150,000 dollarë për të drejtat ekskluzive të historisë së McDougal, por nuk e publikoi atë.

Aktakuza e dytë i përket aktores së filmave porno Stormy Daniels, emri i vërtetë i së cilës është Stephanie Clifford, pretendoi se kishte një takim seksual me Trump në korrik 2006.

Kur në vitin 2018 Wall Street Journal raportoi se avokati i Trump, Michael Cohen mundësoi një pagesë prej 130,000 dollarësh për Daniels për të ndaluar atë të fliste për aferën e supozuar, Melania anuloi planet për të vizituar Forumin Ekonomik Botëror me bashkëshortin e saj. Drejtoresha e saj e komunikimit në atë kohë, Stephanie Grisham, përmendi “çështjet e planifikimit dhe logjistikës”.

Privatisht, Melania thuhej se ishte e zemëruar dhe do të kalonte tre ose katër ditë në javë larg Shtëpisë së Bardhë në një hotel në Uashington.

Disa në kampin e Trump argumentuan se pagesa për Daniels ishte bërë për të mbrojtur Melanian dhe familjen. Në dhjetor 2018 Cohen u dënua me tre vjet burg për shkelje të financimit të fushatës, ndër akuza të tjera.

Një burim i afërt me ish-zonjën e parë tha për Daily Mail se Melania gjithsesi vijoi të mbështesë bashkëshortin e saj.

“Zonja Trump është e fortë. Ajo është e përqendruar te familja e saj dhe si gjithmonë qëndron pas bashkëshortit. Për shtatë vitet e fundit, e majta ka bërë përpjekje të shumta për të njollosur dhe sulmuar familjen e saj dhe kjo është vetëm përpjekja e fundit për ta rrëzuar atë”, thuhet në artikull.

Melania mësohet se është ende në pronën Mar-a-Lago, ku u pa për herë të fundit duke darkuar me Trump të enjten.

Ish-modelja sllovene u martua me manjatin në vitin 2005, pasi u takua pesë vjet më parë kur ai ishte në një takim me një grua tjetër.

Martesa e parë e Trump, me Ivana Trump përfundoi në 1991 pas mbulimit të tabloidit të lidhjes së Trump me aktoren Marla Maples.

Martesa e tij me Maples u prish në 1999.

Në dasmën e vitit 2005 në Florida të Trump, atëherë 58 vjeç, dhe Melania, atëherë 34 vjeç, morën pjesë 450 të ftuar të famshëm nga Elton John dhe Billy Joel te Bill Clinton dhe Arnold Schwarzenegger. Festa thuhet se ka kushtuar 2.5 milionë dollarë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: