Ditën e sotme po zhvillohet protesta e 64-të radhazi kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar. Qytetarë të shumtë janë grumbulluar fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt godinës së Kryeministrisë me thirrjet për dorëheqjen e kreut të ekzekutivit.
Pjesë e tubimit të sotëm janë bërë edhe mjaft bashkatdhetarë që jetojnë jashtë vendit, të cilët i janë bashkuar turmës së protestuesve.
Në një prononcim për News24, Arben Kola, një nga koordinatorët e kësaj proteste, deklaroi se revolta popullore nuk do të ndalet dhe se dita e sotme ka marrë një mbështetje të fuqishme edhe nga diaspora shqiptare.
“Edhe sot kemi një pjesë të mirë të diasporës në protestë. Mërgata jonë nuk ka ardhur vetëm për pushime, por vjen për të rrëzuar Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Ata kanë ardhur në Shqipëri me një qëllim: rrezimin e Edi Ramës! Unë i ftoj të gjithë shqiptarët të vijnë në Tiranë, sepse me këtë qeveri që ka shitur vendin nuk kemi rrugë tjetër veçse rregullisht rrëzimin e saj dhe shporrjen e kësaj kaste politike”, u shpreh ai.
