Është Lionel Mesi, simboli i Barcelonës kampione të Spanjës. Skuadra katalanase zyrtarizon titullin numër 23 në Primera Division, ku pas një sezoni pa asnjë trofe, arrin të triumfojë në La Liga ku ka dominuar gjatë pjesës më të madhe të sezonit. Argjentinasi shënoi golin e fitores në transfertën e vështirë të “Vincente Calderon”, ku Barcelona përkuli edhe Atletikon e Madridit, duke kurorëzuar një sezon në nivele stratosferike. 41 gola sezonalë për numrin 10, ndërsa Barcelona numë-ron vetëm 4 humbje sezonale, 30 fitore dhe 3 barazime me një diferencë të frikshme golash, plot 89.

Një festë e paralajmëruar për katalanasit, që një javë më parë me barazimin e Realit ndaj Valencias, por tashmë tifozët blaugrana mund të festojnë për një titull që i afron me 9 trofe kampionati më pak se rivalët madrilenë. Festa nis pikërisht në Madrid, por në shtëpinë e Atletikos që është e detyruar të dorëzojë pa kushte titullin e fituar rreth një vit më parë pikërisht në “Camp Nou”. Ironia e fatit do që të jetë Barcelona e Luis Enrikes, ajo që fiton titullin në kryeqytet këtë herë. 115 gola në total nga tredhëmbëshi i frikshëm i sulmit me Lionel Mesin majë diamanti dhe pistonat Nejmar e Suarez, të cilët arritën të shfaqin një spektakël që i hap derën erës Luis Enrike.

Tashmë përpara tyre qëndron finalja e Kupës së Mbretit kundër Atletik Bilbaos dhe ajo e Champions League përballë Juventusit. 93 pikë me një ndeshje të mbetur ka regjistruar Barcelona e formatit Enrike, ku Iniesta duket i rilindur, ndërsa Ksavi mbetet një dirigjent edhe nga stoli i rezervave. Rakitiç, Mathjë dhe Suarez u inauguruan menjëherë me një ingranazh që kur nis të punojë përtyp çdo kundërshtar, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës rrotullohet si një ingranazh perfekt. Barcelona rikthehet në majën e Spanjës, festa në Katalonjë sapo ka nisur zyrtarisht.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: