Presidenti Meta dekoron me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” arkitektin e shquar, Gani Strazimiri: Meritë të jashtëzakonshme për promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të popullit shqiptar

23 dhjetor 2020

Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” arkitektin e shquar, Gani Strazimiri (pas vdekjes).

Akordimi i këtij vlerësimi të lartë, ju bë me motivacionin: “Me mirënjohje për rolin e jashtëzakonshëm në fushën e historisë së arkitekturës shqiptare, veçanërisht në përcaktimin e zonave historike të arkitekturës popullore në vend dhe të shpalljes së Gjirokastrës e Beratit qytete-muze si dhe të komplekseve muzeale të pazareve të Krujës e Korçës. Në vlerësim të njërës nga figurat më të shquara të arkitekturës dhe si themelues i shkencës së restaurimit në Shqipëri në të gjitha disiplinat e saj, i cili dha kontribut të madh në ruajtjen e vlerave arkitekturore të traditës shqiptare. Në nderim të punës si themelues i Institutit të Monumenteve të Kulturës, duke mbrojtur me vendosmëri, kurajë intelektuale e qytetare çdo monument kulture në vendin tonë si dhe duke formuar një brez të shquar restauruesish, që vazhdoi rrugën e shtruar prej tij.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar familjarëve dhe personaliteteve të pranishëm në ceremoninë solemne, Presidenti Meta vuri në dukje:

“Jam i lumtur që, të jemi sot së bashku, për të vlerësuar një figurë të shquar shumëplanëshe, arkitektin Prof. Gani Strazimiri.

Kërkesa për vlerësimin e këtij personaliteti, e ardhur nga një grup ekspertësh të mirënjohur të zbulimeve arkeologjike, të evidentimit e restaurimit të Monumenteve të Kulturës në vendin tonë, bëhet në kuadër të 2 momenteve të rëndësishme të këtij viti: të 55-vjetorit të krijimit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, të themeluar nga arkitekt Strazimiri dhe të 105-vjetorit të lindjes së tij.

Profesor Stazimiri konsiderohet si figura më e shquar e fushës së vlerësimit të monumenteve ndërtimore në Shqipëri. Gjatë gjithë jetës së tij, ai ka punuar me përkushtim për gjurmimin e vlerave monumentale, përzgjedhjen e shembujve më përfaqësues, dokumentimin, mbrojtjen, restaurimin, studimin dhe botimet për këto vlera.

I lindur në Maqellarë, të Dibrës, Gani Strazimiri shfaqi që në fëmijëri, prirje për artin dhe veprimtarinë ndërtimore. Kjo prirje bëri që të vazhdonte studimet për arkitekturë në Universitetin e Torinos, që i ndërpreu për të kontribuar për çlirimin e Atdheut, në Luftën Antifashiste.

Ndërkohë më pas ai përfundoi studimet në Bashkimin Sovjetik dhe filloi punë si arkitekt e projektues i objekteve shoqërore dhe ato të banimit, për të kaluar më pas, përfundimisht, në fushën e studimeve të ndërtimeve arkitekturore, ku u shqua për përkushtimin dhe talentin e tij.

Profesor Stazimiri ishte i bindur në rëndësinë e krijimit të specialistëve të përgatitur për fusha me rëndësi kombëtare, në veçanti si ajo e monumenteve të kulturës në Shqipëri.

Në saj të kontributit të tij të madh dhe në bashkëpunim me specialistë të shquar vendas e të huaj, u përcaktua zona muzeale e qytetit të Beratit, sipas vlerave të saj historike e ndërtimore, duke arritur kështu një përvojë konkrete, për të vazhduar më tej me zonifikimin e qendrave të tjera historiko-kulturore të Shqipërisë, si Gjirokastra apo të komplekseve muzeale të pazareve të Krujës dhe të Korçës.

55 vite më parë, profesor Stazimiri bëhet themeluesi dhe drejtori i parë i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe ‘motori’ i përgatitjes profesionale të shumë specialistëve të shquar, si Aleksandër Meksi, Emin Riza, Pirro Thomo, Apollon Baçe, Buron Kaceli, Valter Shtylla, Gjerak Karaiskaj e shumë të tjerë, të cilët nga ajo kohë e më vonë, do të bënin emër dhe jo vetëm në fushën e tyre.

Evidentimi dhe më pas ruajtja e restaurimi i vlerave monumentale dhe arkitekturore të vendit u bënë objekti parësor i punës së Institutit të Monumenteve të Kulturës të drejtuar nga Gani Strazimiri. Ashtu siç u punua edhe për ndarjen e zonave urbane nga ato rurale, apo të zonave të banimit nga ato industriale.

Por ajo ç’ka dallonte akoma më shumë arkitekt Strazimirin ishte vendosmëria e tij, kurajo intelektuale e qytetare, betejat dhe përplasjet e tij me autoritetet partiake e shtetërore të kohës për mbrojtjen e monumenteve të kulturës.

Kjo betejë u bë akoma më e ashpër pas viteve 65’, kur regjimi filloi luftën kundër besimeve fetare dhe nisi aksionin e madh për prishjen e objekteve të kultit, pjesa më e madhe e të cilave ishin monumente kulture dhe pjesë e trashëgimisë kulturore të popullit tonë.

Profesor Strazimiri luftoi me të gjitha forcat dhe mundësitë e tij që t’i shpëtonte këto monumente kulture, duke denoncuar edhe në Prokurori dhe duke hedhur në gjyq autoritetet e kohës.

Ai e quante shkatërrimin e tyre një ‘akt vandal’ dhe ‘vepër kriminale’ siç ishin në të vërtetë, por me gjithë përpjekjet e tij të jashtëzakonshme, shumë prej këtyre monumente për fat të keq u shkatërruan, duke bërë të zhduket një pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe historike.

Merita e rëndësishme e arkitekt Strazimirit është edhe praktika e botimeve për ndërhyrjet restauruese në monumente, si dhe themelimi i revistës shkencore ‘Monumentet’.

Edhe pas daljes në pension, profesor Strazimiri vazhdoi të punonte me përkushtim me projektet e tij studimore.

Emri dhe vepra e profesor Strazimirit, për vlerësimin e monumenteve ndërtimore shqiptare në shekuj, do të mbeten padyshim, një konstante e vazhdueshme në traditën shqiptare të kësaj fushe.

Për gjithë kontributin e tij të jashtëzakonshëm, si një nga figurat më të shquara të arkitekturës dhe si themelues i shkencës së restaurimit në vendin tonë, kam kënaqësinë e veçantë që të vlerësoj sot profesor Gani Strazimirin me Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’.

Faleminderit!”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: