Pas daljes nga Prokuroria për Krimet e Rënda, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta dha një prononcim për mediat ku shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë. Kryetari i Kuvendit u paraqit në Prokurori, duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së saj për të dëshmuar lidhur me akuzat e deputetit Tom Doshi se ka porositur vrasjen e tij dhe të deputetit të PD-së, Mhill Fufi.
Pas dëshmisë së dhënë për rreth 90 minuta, Meta ka folur për gazetarët ku ka theksuar disa herë se është i gatshëm të ballafaqohet me Tom Doshin dhe Sali Berishën. Meta tha se pas akuzave të Doshit qëndron Berisha.
- Meta çfarë deklaruat në Prokurori?
Siç e shihni sapo kam përfunduar dëshminë time me thirrjen e bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dje dhe njëkohësisht i jam përgjigjur pyetjeve të bëra nga prokurorët e kësaj çështje lidhur me akuzat dhe pretendimet e z. Doshi dhe të z. Berisha për tentativën gjoja për vrasjen e dy deputetëve. Me këtë rast dua të konfirmoj edhe një herë tjetër përpara jush, sikurse ua kam konfirmuar edhe prokurorëve të çështjes, gatishmërinë time totale për të qenë në çdo moment, në çdo ditë, përfshirë edhe të shtunën edhe të dielën, në dispozicion të prokurorisë, përveç të enjtes, sepse unë të enjten e kam shpallur ditën e “Doktorit”, ju e dini, s’kam çfarë të bëj, në mënyrë që të bashkëpunoj me prokurorinë për hetimin e plot të kësaj çështje duke iu nënshtruar ligjit dhe vetëm në respekt të tij. Gjithashtu kam shprehur gatishmërinë time, në rast se prokuroria, do ta çmojë të arsyeshme, të bëj ballafaqim në prokurori me të dy akuzuesit e mi, me z. Doshi dhe me z. Berisha dhe me të dy sëbashku dhe me cilindo tjetër që pretendon se ka prova që mund të implikojnë Ilir Metën në këtë çështje.
Si e cilësoni videon? E cilësoni autentike, të manipuluar apo një shantazh?
Videon e Tomës me Tomën për provë vetëm “Doktori” mund ta marri. Ndërsa Tomën si person, besoj se të gjithë e kemi të qartë që përbën më shumë një antiprovë se një provë juridike. Megjithatë, unë jam këtu për të respektuar shtetin ligjor, jam këtu për të dëshmuar gjithçka që di dhe për t’iu nënshtruar hetimit në mënyrën më transparente. Jua kam theksuar disa herë prokurorëve se jam i gatshëm për çdo ballafaqim në prokurori, ashtu sikurse jam i gatshëm për çdo ballafaqim politik çdo të enjte, besoj se e keni shumë të qartë.
- Doshi pretendon se bashkëshortja juaj njërin nga personat porositës e njihte si “Toni i Kombinatit”..
Se çfarë pretendon z. Doshi, kjo është një çështje e tij. Jua thashë, video e Tomës me Tomën nuk mund të bëjë ndonjë fakt serioz. As vetë Toma si person, në kuptimin juridik, nuk mund të përbëjë provë, por kam përshtypjen se përbën më shumë një antiprovë.
- Meta, opozita ka kërkuar dorëheqjen tuaj për t’i hapur rrugë drejtësisë, për ta hetuar për t’i shkuar deri në fund kësaj ngjarje. Pas gjithë kësaj historie, ju keni qenë në dijeni prej shumë kohësh. A keni një shpjegim pse z. Doshi bën këto akuza ndaj jush?
Jam i mallëngjyer dhe i prekur shumë nga thirrja që më ka bërë mbrëmë kryetari formal i Partisë Demokratike për të dhënë dorëheqjen në mënyrë që të ndihmojë hetimin. Së pari, dua të theksoj se ndaj meje nuk ka asnjë akuzë. Së dyti, kur kjo kërkesë vjen nga z. Basha është vërtet mjaft impresionuese sepse të gjithë e dinë që z. Basha, i akuzuar nga një institucion si Prokuroria e Përgjithshme dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, një institucion tjetër, për aferën e korrupsionit me më shumë se 230 milionë euro për rrugën Durrës-Kukës, ju e dini shumë mirë që jo vetëm e dha shembullin duke u larguar nga Qeveria, shpresoj që ta kujtoni ju, ta kujtojnë të gjithë, por edhe njëkohësisht bëri çdo gjë për ta mbyll çështjen për shkak të procedurave dhe jo për t’i shkuar çështjes deri në fund. Kështu që ai është një model i shkëlqyer për t’u marrë shembull se si i hapet rrugë hetimit. Ndërkohë, Ilir Meta vërtet është Kryetar i Kuvendit, dhe kjo është një detyrë shumë e nderuar, por Ilir Meta nga Kryetar i Kuvendit dhe Ilir Meta deputet, nuk ka asnjë ndikim në raport me drejtësinë. Sepse Kryetari i Kuvendi, ju e dini, është një ndër 140 deputetë dhe nuk ka asnjë raport të drejtpërdrejt si Kryetar i Kuvendit me asnjë institucion të drejtësisë, sikurse është rasti i Presidentit që është Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë apo mund të ishte ndonjë funksion tjetër i cili mund të pengonte drejtësinë. Përkundrazi, unë jam këtu dhe kam shprehur gatishmërinë për t’u ballafaquar me z. Doshi, me z. Berisha, i cili ka thënë se ka edhe ai prova dhe me cilindo tjetër. Transparencë më të madhe a mund të bëjmë dot apo jo?!
Si është marrëdhënia me Tom Doshin pas akuzave të tij kundër jush?
Nuk kam asnjë raport dhe asnjë shqetësim. Z. Doshi do të respektohet si një në 140 deputetët nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Pastaj, problemet e tij, janë problemet e tij me drejtësinë, janë problemet e tij me politikën, këto janë çështje të tjera.
Pse jua bën këto akuza?
Akuzat vijnë nga Doktori tani, nuk vijnë më nga Toma pasi Toma kaloi me Doktorin. Sepse ju e dini shumë mirë se para një jave kishte problemin e dy drejtoreshave dhe të disa ministrave. Pasi Grupi Socialist mori vendimin që nuk pranoi shantazhin e tij për drejtoreshat dhe për ministrat, dolën akuzat kundër Ilir Metës dhe tani në krye të këtyre akuzave qëndron Doktori i cili sidoqoftë vazhdon të mbetet i preferuari im dhe të cilin e siguroj se pavarësisht nga angazhimi i tij i jashtëzakonshëm në këtë çështje absurde, unë do t’ia jap fjalën pa u kursyer dhe pa u lodhur që ai t’i thotë të gjitha të vërtetat çdo të enjte.
Zoti Meta jeni pyetur në lidhje me një deklarim të djeshëm që ka një video nga Dritan Prifti në lidhje me Shkëlzen Berishën?
Këto janë çështje të tjera. Unë jam këtu dhe do të jem këtu sa herë të më kërkojë prokuroria. I gatshëm për t’u ballafaquar me të dy akuzuesit e mi, me Tom Doshin dhe me Doktorin. Faleminderit!
(m.k/BalkanWeb)
