Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vlerësoi historianin, studiuesin, shkrimtarin dhe përkthyesin e shquar Aurel Plasari me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”: “Me mirënjohje studiuesit dhe shkrimtarit, kontribuuesit të palodhur të kërkimit shkencor, që ka ndriçuar vlerat kombëtare me ndikim te veçantë në shoqërinë shqiptare, promovuesit dhe mbrojtësit të identitetit kombëtar dhe europian të shqiptarëve.

Në vlerësim të punës së jashtëzakonshme edhe për realizimin e veprës më të suksesshme kushtuar figurës dhe epokës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.”

Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë e dekorimit, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Kam kënaqësinë e veçantë të jem sot, bashkë me ju, për të vlerësuar një figurë poliedrike të kombit tonë, autorin e shumë librave dhe eseve, përkthyesin e shumë kryeveprave botërore, historianin, studiuesin, mendimtarin, profesorin e shquar universitar Aurel Plasari.

Veprimtaria e profesor Plasarit, është e gjerë dhe e shtrirë tanimë në gati pesë dekada, duke i ofruar kulturës shqiptare jo vetëm përkthime të shënuara, por në këto 30 vitet e fundit edhe ese me shumë ndikim mbi shoqërinë shqiptare dhe sidomos studime të një rëndësie të veçantë për rolin marrës dhe dhënës të shqiptarëve në qytetërimin europian.

Për këtë veprimtari të gjerë e të suksesshme, profesor Plasari është vlerësuar me çmime e nderime të ndryshme, nga ato më të lartat.

Por sot, jemi në një moment të ri, të vlerësimin të veprimtarisë të profesor Plasarit, me dekoratën që mban emrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Jam i bindur se profesor Aurel Plasarit i shkon në mënyrë të veçantë kjo dekoratë me emrin e “poetit të madh të politikës shqiptare”, siç e ka quajtur Montanelli; e “Atletit të Krishtit” siç e thirri Papa Kaliksti III; apo e “heroit semantik të shqiptarëve”, sikurse vetë profesor Plasari e ka përcaktuar.

Vite të tëra të jetës me punë, profesor Plasari, ia ka kushtuar kërkimeve mbi Heroin tonë Kombëtar, për të kulmuar me veprën e tij më të rëndësishme, ndoshta vepër e jetës, “Skënderbeu-një histori politike”.

Është vepra që në Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut, 2018, u vlerësua me Çmimin Shkencor Ndërkombëtar të Akademisë së Shkencave së Shqipërisë, si studimi më i suksesshëm për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun.

Duke ngritur në një nivel tanimë bashkëkohor, traditën e studimeve shqiptare skënderbegiane, që zënë fillin me Konicën dhe Nolin. Plasari me këtë vepër e ka nxjerrë në një dritë të re portretin e Skënderbeut, jo vetëm si strateg ushtarak dhe diplomat i zoti, por edhe si një burrë shteti që e integroi Arbërinë e tij, në traktatet e para të Europës politike.

Edhe me veprën e tij më të fundit, “Àrbni gjeografik, historik, kishtar dhe politik”, botim i Akademisë së Shkencave dhe i Akademisë së Studimeve Albanologjike, profesor Plasari, gjithmonë kërkues e studiues është përqendruar përsëri në nxjerrjen në dritë të Mesjetës arbërore, shpesh gabimisht të përfytyruar si “e errët”, duke e rivënë atë në raporte reale jo vetëm me fqinjët, por edhe me Europën e kohës.

Me mirënjohje dhe në vlerësim të punës së jashtëzakonshme për realizimin e veprës më të suksesshme kushtuar figurës dhe epokës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, kam kënaqësinë dhe privilegjin të vlerësoj profesor Aurel Plasarin me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb