Presidenti i Republikës Ilir Meta priti sot në një takim Ambasadorin e ri të Republikës së Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Pasi e uroi për marrjen e detyrës, Presidenti Meta e siguroi Ambasadorin Hasani për mbështetjen e plotë në kryerjen me sukses të misionit të tij në Tiranë.
Kreu i Shtetit vlerësoi procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019, si tregues i maturisë politike, demokratike e institucionale të Kosovës.
Presidenti u shpreh se marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe vlerësoi se bashkëpunimi midis dy vendeve është stabilizues për rajonin dhe motivues për perspektivën euroatlantike.
“Liberalizimin i vizave për qytetarët e Kosovës është i domosdoshëm, dhe duhet të realizohet sa më parë”, – theksoi Presidenti Meta.
Emri i Nait Hasanit për postin e ambasadorit të Kosovës në Tiranë u përfol që në gusht. Ai merr këtë detyrë pas Sylë Ukshinit, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri.
Hasani vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Si deputet i kësaj force ai ishte një nga nënshkruesit e deklaratës së Pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008.
Hasani ka qenë një nga shqiptarët që ka provuar egërsinë e regjimit serb, si ish-i burgosur politik në burgun famëkeq të Dubravës. Është albanolog dhe është i specializuar në marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci si dhe në lidership për menaxhimin e krizave.
(m.k/BalkanWeb)