TIRANE- Presidenti Ilir Meta, priti në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu. Gjatë takimit, Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen që Turqia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht në tre dekadat e fundit.

Duke u ndalur tek mundësitë e mëdha të bashkëpunimit ekonomik, Meta shprehu vlerësimin për vëmendjen që Presidenti Erdogan dhe Qeveria turke i kushtojnë këtij bashkëpunimi me Shqipërinë dhe nënvizoi se Turqia mbetet një nga partnerët kryesorë ekonomik e tregtar për Shqipërinë.

Po ashtu kreu i shtetit vlerësoi gjithashtu kontributin e dhënë nga Turqia përmes Agjencisë turke të Bashkëpunimit për Zhvillim TIKA, e cila tashmë është e pranishme në të gjithë Shqipërinë.

Ndër të tjera presidenti vlerësoi mbështetjen që Turqia ka dhënë për njohjen e pavarësisë dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb