SHKUP – Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta zhvilloi një takim në Shkup me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, me të cilin diskutoi për çështje të rëndësishme në Maqedoni dhe Shqipëri, duke e vënë theksin tek bashkëpunimi dypalësh.
Kryeparlamentari Meta theksoi se “Shqipëria mbështet të gjitha përpjekjet e faktorit shqiptar për të forcuar stabilitetin në Maqedoni, në mënyrë të veçantë integrimin e tyre në të gjitha institucionet, për realizimin e plotë dhe të përshpejtuar të Marrëveshjes së Ohrit”.

Meta tha se takime të tilla ndihmojnë për të koordinuar më mirë ato tema të cilat janë prioritare për shqiptarët kudo që jetojnë.
“Kemi diskutuar edhe për çështje të tjera rajonale sikurse janë ato që kanë të bëjnë me forcimin e mëtejshëm të mbështetjes për shtetin e Kosovës, për bashkëpunimin rajonal ku Shqipëria dhe Maqedonia duhet të vazhdojnë të jenë aktive dhe besoj se ky takim, në vazhdën e takimeve tona sistematike, na ndihmon për të koordinuar më mirë të gjitha ato tema të cilat janë prioritare për shqiptarët kudo që jetojnë, me qëllim kryesor afirmimin e tyre si një faktor stabilizues, si një faktor integrues dhe evropianizues për të gjithë rajonin”, -deklaroi Meta.

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi siguroi zotin Meta se “PDSH-ja asnjëherë nuk do të bëhet pjesë e aventurave të pakujdesshme, qofshin politike, qofshin të tjera, për shkak se jemi shumë të vetëdijshëm për barrën dhe peshën që e kemi si parti opozitare, për të garantuar një qetësi dhe një stabilitet”.
“Jo vetëm kënaqësi por është edhe nder për mua sot si udhëheqës i opozitës që takova Kryetarin e parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Biseduam për shumë çështje dhe unë e sigurova që PDSH-ja asnjëherë nuk do të jetë problemi, por do të jetë pjesë e zgjidhjes së problemit. Do të vazhdojmë me një politikë të fortë opozitare, por pa dyshim konstruktive. I thash shqetësimet e mija për Maqedoninë që është në një proces të bllokimit total të dy çështjeve fondamentale që garantojnë mbijetesën e Maqedonisë, integrimi drejt unionit evropian dhe NATO-s dhe çështje e raporteve ndëretnike, apo realizimit të drejtave kolektive të shqiptarëve. Por e sigurova kryetarin e parlamentit se PDSH-ja asnjëherë nuk do të bëhet pjesë e aventurave të pakujdesshme, qofshin politike, qofshin të tjera, për shkak se jemi shumë të vetëdijshëm për barrën dhe peshën që e kemi si parti opozitare, për të garantuar një qetësi dhe një stabilitet. Megjithatë bashkërisht ramë dakord që të vazhdojmë komunikimin mes nesh. Shqipëria jep një kontribut të jashtëzakonshëm për stabilitetin e Maqedonisë dhe mbështetjen që jep Maqedonisë drejtë procesit integrues. Ramë dakord që të shihemi shumë shpejtë, por në Tiranë sigurisht”, -deklaroi Thaçi.
Kryeparlamentari shqiptar pas këtij takimi u takua edhe me liderin opozitar maqedonas, Zoran Zajev , me të cilin bisedoi për çështje të interesit të ndërsjellë dhe për bashkëpunim.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: