Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vlerësoi me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” themeluesin dhe Presidentin e Nderit të shoqatës “ASED” (Action de Soutien a l’Enfance Domunie) me seli në Gjenevë, Jean-Luc Nicollier, i cili përmes veprimtarisë së saj humanitare, u ka ardhur në ndihmë qindra fëmijëve në nevojë në vendin tonë.

Kreu i Shtetit i akordoi këtë Titull me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë dhe kontributeve të vyera të dhëna nga ASED-ja për mbështetjen arsimore të personave me aftësi të kufizuara dhe krijimin, ose rinovimin e infrastrukturës dhe institucioneve, trajnimin e stafit dhe edukatorëve të specializuar, si dhe ndërgjegjësimit të publikut për çështjet e aftësisë së kufizuar. Me mirënjohje ndaj nismëtarit, promovuesit dhe zbatuesit të disa projekteve në vendin tonë, që përfshijnë krijimin dhe transformimin e disa qendrave për fëmijët e privuar dhe kopshteve, veçanërisht në qytetet e Beratit, Kuçovës, Korçës dhe Vlorës.”

Në fjalën e tij përshëndetëse, në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, Presidenti Meta u shpreh:

“Është kënaqësi e veçantë, të ndajmë sot së bashku, një moment shumë të bukur, nderimin e një humanist të madh dhe një miku të vyer të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, zotin Jean-Luc Nicollier.

Zoti Nicollier, gazetar dhe intelektual i njohur në Zvicër, dhe me një ndjeshmëri të spikatur për Shqipërinë, ka pasur një ndikim të madh në realizimin e projekteve të rëndësishme sociale, në një kohë sfidash të mëdha për vendin tonë, pas rrëzimit të regjimit komunist.

Në vitin 1989, bashkë me bashkëshorten Mirjam Nicollier, themeluan shoqatën ASED, ‘Aksion për mbështetjen e fëmijëve të privuar’.

Misioni humanitar i kësaj shoqate është aksesi i fëmijëve të pafavorizuar në arsimim dhe trajnime të ndryshme, me qëllim krijimin e të ardhmes së tyre të qëndrueshme.

Pas 30 vitesh nga themelimi, ‘ASED’ ka ndihmuar më shumë se 25.000 fëmijë, në 23 vende të botës.

Në vitin 1993, një reportazh për fëmijët me aftësi të kufizuara të braktisur në Berat, bëri që zoti Nicollier të angazhohet drejpërdrejt, duke siguruar ndihma emergjente për të lehtësuar situatën katastrofike të këtyre fëmijëve.

Ai vazhdoi më tej me angazhimin e shoqatës, në rindërtimin e ndërtesës së rrënuar në Berat dhe me mbështetjen e qendrave të tjera në vështirësi.

Kështu nisi një bashkëpunim 28-vjeçar midis shoqatës ‘ASED’ dhe Shqipërisë, duke përfshirë autoritetet dhe zyrtarët e institucioneve, por edhe vullnetarë dhe edukatorë zviceranë.

Projektet e mëtejshme të ‘ASED’-it ishin jo vetëm në Berat, por edhe në Korçë, Durrës, Tiranë, Shkodër, Vlorë, Kuçovë, Gramsh, Elbasan, Kavajë e Çorovodë.

Përmes këtyre, u rindërtuan institucione rezidenciale për fëmijët jetim, u ofrua mbështetje financiare për institucionet me fëmijë me aftësi të kufizuara dhe u trajnuan stafet e institucioneve shtetërore.

Po ashtu, u krijuan qendra ditore dhe iu dhanë mundësi trajnimi të rinjve me aftësi të kufizuar.

Gjatë misionit të ‘ASED’ në Shqipëri, zotit Jean-Luc Nicollier ishte nismëtari, promovuesi dhe zhvilluesi i këtyre projekteve.

Falë mbështetjes së pareshtur të z. Nicollier, personeli mësimor i këtyre qendrave dhe të tjerë, mundën të trajnoheshin në bashkëpunim me institucionet e specializuara universitare më të mira në Zvicër.

Ishte gjithashtu zoti Nicollier, ai që luajti një rol thelbësor, në hapjen, për herë të parë, të filialit të Pedagogjisë Kurative në Universitetin e Vlorës, që trajnoi një personel mjekësor e social të aftë në nivel ndërkombëtar, për menaxhimin e aftësisë së kufizuar.

Objektivi kryesor strategjik i ASED-it dhe zotit Nicollier ka qenë dhe mbetet promovimi i aksesit në arsim i fëmijëve dhe të rinjve të paprivilegjuar dhe integrimi i tyre në shoqëri.

Për 28 vite kontribute të çmuara, të dhëna për shoqërinë tonë, i jemi mirënjohës shoqatës ‘ASED’, presidentit të saj zotit Jean-Luc Nicollier dhe popullit zviceran, që ka kontribuar për vendin tonë përmes tyre.

Në vlerësim dhe mirënjohje për kontributet e vyera të dhëna nga z. Jean-Luc Nicollier, kam kënaqësinë ta vlerësoj sot me Titullin ‘Për Merita të Veçanta Civile’.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb