E ftuara e dytë në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte Gerta Mahmutaj.

Përpara se këngëtarja të niste rrugëtimin nëpër kujtime me anë të fotografive, u dha videoklipi i projektit të saj më të ri muzikor “Zemrën ma ndali”.

Këngëtarja zbuloi se tekstin e ka shkruar ajo së bashku me partnerin e saj John Van Ride, duke e bërë edhe më të veçantë historinë e kësaj kënge të bukur. Këngëtarja rrëfeu se me partnerin e saj është njohur gjatë netëve ‘live’ në Crazy Calvin, dhe prej asaj kohe jetojnë një histori të bukur dashurie.
Teksa nisi të flasë për marrëdhënien e ngushtë që ajo ka me familjarët e saj, Gerta tregoi se dëshirën për sport e ka trashëguar nga babai i saj, ndërkohë që pjesën muzikore nga e ëma, e cila ka qenë edhe mbështetësja dhe shtysa e saj më e madhe.
Ajo foli edhe lidhjen që ka me motrën dhe vëllanë e saj 7 vite më të vogël, Klejti Mahmutaj. Këngëtarja u shpreh se me Klejtin ka kujtime të paharruara nga koha kur ata ndanin skenën. Për pjesën se pse ata nuk kanë sjellë më duete së bashku Gerta tha, “Thjesht gjërat kanë ardhur në mënyrë të tillë” .
Këngëtarja mori një videomesazh shumë të bukur nga motra e saj, nga i cili u emocionua shumë. “Dua të shpreh sa fort të dua. Sa krenare jemi për ty. Sa e çmuar dhe veçantë je ti në zemrën time. Mezi pres të kaloj gjithë jetën dorë për dore me ty siç kemi bërë që nga fëmijëria”, tha motra e Gertës ndër të tjera.
Kujtojmë që Gerta Mahmutaj prej vitesh ndan skenën me Aurela Gaçen, e teksa në program u shfaq një fotografi, ajo tregoi se ka një marrëdhënie shumë të mirë me të, “E dua shumë jo vetëm për profesionalizmin që ka, por edhe për njeriun që është”.
Moment shumë i bukur në “Dola te Ola” ishte kur Gerta Mahmutaj së bashku me vëllezërit korçarë Endri dhe Stefi Prifti kënduan këngën “Moj e bukura Arbëri”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: